“Më bënë spiune në këmbim të s*ksit për sigurimsat”, rrëfimi tragjik i polakes: Në Shqipëri gratë përdh*noheshin

Në ditët e para të vjeshtës së vitit 1973, në vëzhgimin e rreptë të oficerëve të Sigurimit, ka ngjitur shkallët e selisë së Komitetit Qendror, tridhjetëvjeçarja polake, Barbara (KuiatKouska) Mullolli.

E huaja që jetonte në Durrës qysh nga viti 1961, vinte të rrëfehej te kreu i regjimit për kalvarin e vuajtjeve të shumta me shpresën e vetme se ndërhyrja e tij mund të bënte diçka për fatin e saj.

Pas një sfilitjeje të gjatë me letra e telegrame në adresë të Enver Hoxhës, më në fund ka ardhur përgjigja e shumëpritur se kreu i Partisë kishte vënë “dorën në zemër” dhe kishte rënë dakord të njihej me hallet e saj. Me mbërritjen e lajmit, Barbara Mullolli është paraqitur në orën e caktuar te selia e Komitetit Qendror dhe aty e kanë shoqëruar në një nga zyrat ku e prisnin njerëzit e autorizuar nga Enver Hoxha për ta dëgjuar me vëmendje për problemet që e shqetësonin.

Rrëfimi i saj ka qenë befasues e krejt i veçantë për zyrtarët me përvojë të diktatorit, të cilët e kanë dëgjuar me durim të jashtëzakonshëm për rreth dy orë. Historia e trishtë që tregonte polakja e martuar me studentin durrsak në fillimin e viteve ’60, zbulonte vesin e shëmtuar të dhunës seksuale të oficerëve të Sigurimit me femrat e bukura. Fakti që s’bëhej fjalë për ndonjë zyrtar të rëndomtë, por për drejtues të lartë të Policisë Sekrete, madje edhe për vetë kreun e shërbimit, Feçor Shehu, rastin e bënte më të mprehtë.

Në pjesën e parë të denoncimit, bashkëshortja e kryeinxhinierit të njërës prej uzinave më të mëdha të qytetit bregdetar, shtjellon me detaje rrethanat si ka rënë në kurthin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Kopi N. Për herë të parë, shtjellon ajo, jam dhunuar seksualisht nga ai, kur i shkova në zyrë të merrja leje që të shkoja në Poloni për të vizituar nënën e sëmurë. Herën tjetër, kur më futi në rrjetin e agjenturës sekrete për të përgjuar polakët që punonin në port.

Pakti i fshehtë, sipas saj, nuk kishte qenë për të gjurmuar veprimtarinë armiqësore, por për krijuar rrethana të volitshme për epshet kafshërore të Kopi N. Raportet misterioze ndërmjet tyre kanë vazhduar të tilla disa kohë, deri sa një ditë ajo nuk ka mundur t’i durojë dhe ka kundërshtuar prerë t’i shkojë në shtrat. Reagimi i Kopi N. pas kësaj ka qenë sa hakmarrës, aq edhe monstruoz. Ka qenë ky momenti, kur Barbara Mullolli është vënë në shënjestrën e vartësve të përdhunuesit, të cilët, me urdhrin e tij, e kanë prangosur menjëherë për të dhënë llogari për kontaktet agjenturore me shtetasit polakë që punonin në Durrës.

Që këtej, djallëzia dhe cinizmi pa kufi i kryetarit të Degës, ka legjenduar skenarin vrastar në qendër të të cilit fokusohet “shoqëria” e Barbarës me të huajt. Një lidhje kjo e investuar fshehtas në ditët e “miqësisë” me Kopi N., nga ky i fundit, për të zbuluar fijet e agjenturës së huaj në Portin e Durrësit. Kaq kishte mjaftuar për ta kryqëzuar polaken e gjorë, që përfundoi në Burgun e Kuçovës, e dënuar për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Përtej kësaj ndodhie, 30-vjeçarja e huaj ka rrëfyer në takimin në fjalë të tjera peripeci që “i kanë nxirë jetën”.

Gazeta “Panorama” publikon sot për herë të parë tekstin e plotë të informacionit me shënimet nga takimi i autorizuar nga Hoxha, për të dëgjuar denoncimet e qytetares shqiptaro-polake. Pavarësisht se aty në pjesën më të madhe akuzohet drejtpërdrejt për dhunë seksuale oficeri i lartë, Kopi N., në proceset e fillimviteve ’80, ku u kryqëzua gati e gjithë kupola e Ministrisë së Brendshme, ka rezultuar se Barbara, është detyruar të ndajë shtratin me një mori liderësh të policisë sekrete, madje edhe me vetë shefin e Shërbimit, Feçor Shehu.

E quajtura Barbara (Kuiat-Kouska) Mullolli, me banim në Durrës, punëtore në plastikë, më datë 7.9.1973 është paraqitur për takim me shokun Enver dhe parashtron se: Më 1960, në moshën 18-vjeçare, është njohur dhe martuar në Poloni me Arif Mullollin, i cili është k/inxhinier pranë Uzinës Mekanike Durrës.

Më 1961, vjen në Shqipëri, në fillim si vizitore për dy muaj dhe qëndroi pranë bashkëshortit. Tha se në fillim e emëruan arsimtare dhe më 1963-shin caktohet llogaritare pranë NISH Ushqimores Durrës. Në këtë kohë tek ajo vijnë si vizitorë prindërit e saj që janë me banim në Varshavë.

Në shkurt të vitit 1964, duke qenë e shqetësuar nga njoftimi që i kish bërë familja, se e ëma ndodhej e sëmurë, paraqitet në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, duke kërkuar vizë për të shkuar në Poloni. Pretendon se ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Kopi N. e thërret në zyrën e tij, kyç derën dhe pasi e puth kërkon që ajo të jetë dashnorja e tij. Tha se nisur nga interesi për ta lejuar të shkonte në Poloni, pranoi kërkesën e tij. Dhe kështu ai ndërhyri dhe ajo u lejua dhe qëndroi një muaj pranë familjes së saj. Kur u rikthye në Shqipëri, pas dy javësh merr njoftim për vdekjen e nënës dhe dy javë më vonë lindi vajzë, e cila tani është 9 vjeçe.

Pas këtyre ngjarjeve, me kërkesë të Kopi N. paraqitet në Degën e Punëve të Brendshme ku i thuhet prej tij se Ministria e Punëve të Brendshme e fton për bashkëpunim dhe i rekomandon të lidhet me përfaqësuesit tregtarë polakë në Durrës. Tha se lëshoi dhe deklaratë për bashkëpunim. Kështu nisi t’i shërbejë organeve të sigurimit duke u dhënë informata shokëve që i ishin rekomanduar nga Dega e Punëve të Brendshme.

Pretendon se në tetor të vitit 1964, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Kopi Nika, e merr me gaz dhe bashkërisht shkojnë në një vilë në plazhin e Durrësit, ku do të vinin për takim me të dërguarin nga Ministria e Punëve të Brendshme… Tha se me të hyrë në vilë, ku nuk kish asnjë njeri, Kopi kyçi derën, vendosi pistoletën mbi tryezë dhe gjysmë i zhveshur tentoi ta nënshtronte, por ajo u vetëmbrojt. Tha se u paralajmërova prej tij të mos guxonte t’i thoshte askujt mbi këtë ngjarje. Dhe qysh atëherë nuk u mor më në takim me të, por u vu në lidhje për bashkëpunim me Ylli H., oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u tregua “i parregullt”, duke mos respektuar takimet me të.

Për këtë arsye dhe për shkak se kishte nisur të zhvillonte kontrabandë monedhe midis diplomatëve polakë dhe një polakeje me banim në Korçë, e frikësuar se do të diktohej dhe do të mbahej qëndrim, në muajin shtator 1966 paraqitet te diplomatët polakë në Durrës dhe pasi i vë ata në dijeni për lidhjet e saj me Sigurimin shqiptar, kërkon që ta ndihmojnë që të rikthehet në Poloni, por pa rezultat deri nga fundi i vitit 1969, kohë që arrestohet dhe dënohet me 17 vite burg si agjente e zbulimit të huaj.

Tha se bëri vetëm tri vite e katër muaj burg dhe u lirua në janar të këtij viti. Tha se gjatë këtyre 7 muajve, pas daljes nga burgu, keqtrajtohet, lihet të punojë punëtore me tri turne, me gjithë kushtet shëndetësore jo të mira. Pretendon se edhe mjekët kanë frikë ta ndihmojnë. Tha se në mars 1973 është ndarë me bashkëshortin dhe krijoi marrëdhënie për martesë me të quajturin Mirash Sufaj, 28 vjeç, dispeçer në hekurudhën e Durrësit, të cilin për arsye se u martua me këtë e pushuan nga puna.

Shënim: Ne e pyetëm: “A i keni denoncuar më parë këto pretendime?”. Tha se i ka denoncuar në hetuesi kur është arrestuar, po dëshiron t’i dijë edhe shoku Enver.

I thamë se për pretendimet që ka për të mos punuar me turne se është e sëmurë, sipas rregullave t’i drejtohet komisionit mjekësor dhe organeve lokale të pushtetit.

Për pushimin nga puna të Mirash Sufajt, i cili siç tha ajo është me origjinë nga Zagora e Shkodrës, i thamë se ai mund të punojë në ato fronte pune që i rekomandojnë organet lokale të pushtetit.

E pyetëm se ku u njohët me Mirash Sufajn, që dy muaj pasi u ndatë me bashkëshortin bëtë martesë me të. Na tha se ai kishte dëgjuar se ajo u nda me të shoqin dhe një ditë e ndali në rrugë dhe i propozoi për martesë. Duke qenë e vetme dhe pa përkrahje, e pranoi propozimin e tij.

Mendoj se kjo e huaj, e dënuar si agjente e zbulimit të huaj, duhet parë mirë nga organet përkatëse nëse vlen të mbahet akoma në Durrës.

DËSHMIA: BARBARËN E PËRDHUNOI FEÇOR SHEHU

Barbara Kuiat-Kouska, polakja që ra në kurthin e oficerëve të Sigurimit për hiret e bukura, nuk i ka shpëtuar lakmisë perverse të Feçor Shehut, ish-kreut të Ministrisë së Brendshme, të njohur për sjellje monstruoze me femrat. Fakti i panjohur është bërë i ditur në procesin gjyqësor të vitit ’83, kur njëri nga funksionarët e lartë të shërbimit të fshehtë që operonte në Durrës, ka dëshmuar se ish-ministri ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale me Barbarën, kur ajo ishte rekrutuar si agjente e Sigurimit.

Denoncuesi L.P., i penalizuar edhe vetë për sjellje të pamoralshme me femrat, ka treguar më tej rrethanat në të cilat Feçor Shehu, i imponohej 30-vjeçares së huaj për të bërë seks jashtë dëshirës së saj. “Feçori, ka vijuar ish-kreu i degës së Durrësit, rekomandonte shpesh vajza të bukura për t’i afruar në rrjetin e shërbimit, që t’i bënte pre të gjahut të tij”. Të tjerë dëshmitarë nga dega e qytetit bregdetar kanë pohuar rast pas rasti orgjitë e Shehut me shqiptaro-polaken, që u dënua me 15 vjet heqje lirie për spiunazh dhe agjitacion e propagandë.


Shtuar 27.05.2023 19:50