Mbushinin xhepat me paratë që u jepnin shoferët, pezullohen dy punonjës të patrullës në Shëngjin

Policia ka pezulluar dy punonjës të patrullës në Shëngjin, të cilët merrnin para nga drejtuesit e mjetit për të mos ju vënë gjoba. Pezullimi i tyre erdhi pas publikimit të një videoje ku dukej qartë abuzimi me detyrën

Njoftimi i policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie të filmuar nga një qytetar, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, mund të kenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, vlera monetare, ju sqarojmë se:

Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë.

Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën./albeu.com


Shtuar 11.08.2023 14:15