Mbaron koha e gomones, shqiptarët arrijnë një tjetër nivel për të hyrë në Britani: Kjo është skema e re

Emigrantët ilegalë shqiptarë po përdorin kopje të pasaportave të teknologjisë së lartë për të hyrë në Britani, ka zbuluar një hetim i “Sun on Sunday”.

Specialistët dhe ekspertët që punojnë për bandat e trafikimit po kopjojnë çipa biometrike në dokumente reale.

Hetuesit tonë iu ofrua një paketë ku përfshihej pasaportë false dhe patentë për vetëm 2600 £, me tarifën që është ulur edhe më shumë se kostoja e kalimit në Kanal.

Shqiptarëve u ndalohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar pa viza, por ata mund të hyjnë si turistë ose për biznes duke përdorur pasaporta nga një vend i BE-së.

Këtu kemi një video të një pasaporte greke me të dhëna biometrike të prodhuara nga trafikantët.

Një e re shqiptare reklamon mjetet e falsifikuara të identifikimit në TikTok, ndërsa tregon jetën e saj të begatë në Britaninë e Madhe.

Ion Daci, e përdorur nga bandat për të nxitur mashtrimin e të rinjve u thotë 239,700 ndjekësve të saj se si “të hapin llogari bankare false, të blejnë pasaporta, ID dhe patentë”.

Këto publikime vijnë në një kohë që kryeministri Rishi Sunak dhe presidenti francez Emmanuel Macron po punojnë për të rregulluar si duhet marrëveshjen e tyre për të goditur kalimet e emigrantëve të paligjshëm në Kanal.

Por një burim shqiptar tha: “Bandat janë gjithmonë një hap përpara. Biznesi i pasaportave të rreme po lulëzon sepse ato janë kopje të sakta të gjësë reale dhe i lejojnë emigrantët të shmangin rrezikun e kalimit dhe mjerimin e kampeve në Mbretërinë e Bashkuar”.

Burimet thonë se emigrantët e paligjshëm shmangin aeroportet e Londrës ku kontrollet kufitare janë më të rrepta, duke zgjedhur qendra më të vogla si Glasgow, Birmingham dhe Mançester.

Hetuesi ynë kontaktoi me trafikantët në WhatsApp dhe ata na thanë: “Pasaporta plus ID plus patentë kushton 3000 Euro (£ 2,618)”.

Na u tha të paguanim një depozitë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, “kur të marrim nga ju karakteristikat biometrike dhe shenjat e gishtërinjve”.

Të pyetur nëse falsifikimet ishin përdorur tashmë me sukses për të hyrë në Britani, ata u përgjigjën: “Po, kryesisht me pasaportë bullgare”.