Policia në Lushnjë njofton se ka arrestuar një 70-vjeçar për zjarrvënie.
“Ndezi zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën rreth 50 ha tokë me pemë frutore dhe ullishte, identifikohet dhe vihet në pranga 70-vjeçari.
Komisariati i Policisë Lushnjë ka arrestuar shtetasin R. S., 70 vjeç, banues në fshatin Karbunarë, pasi ky shtetas dyshohet se nga pakujdesia, ka ndezur zjarr në tokën e tij, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, për të djegur mbeturinat, dhe si pasojë e erës zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur rreth 50 ha tokë të mbjellë me pemë frutore dhe ullishte, si dhe u rrezikuan disa banesa përreth.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, Zjarrfikëses, Emergjencave Civile dhe të Bashkisë, është bërë i mundur evakuimi i banorëve nga zona e rrezikuar, si dhe shuarja e vatrave të zjarrit.
Për këtë rast u procedua penalisht edhe shtetasi D. C., 37 vjeç, banues në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, pasi ka tentuar të pengojë punonjësit e Policisë për shoqërimin e banorëve të pranishëm në vendngjarje, në momentin e rënies së zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.