Ku do i çonte votat Ardian Nikulaj? Artan Hoxha zbulon se çfarë bisedoi me biznesmenin pak kohë para se ta ekzekutonin

Gazetari Artan Hoxha, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për atentatin ndaj Ardian Nikulajt, biznesmen dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Hoxha dha disa detaje nga ekzekutimi i Nikulajt dhe zbuloi bisedën e tij të fundit me biznesmenin.

Gazetari deklaroi se Nikulaj kishte në plan që votat për Këshillin Bashkiak t’i çonte drejt PSD, ndërsa votat për kryetarin e Bashkisë, drejt koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

“Me sa e njoh unë, Ardian Nikulaj nuk ka qenë një person me bindje politike. Influenca që ai kishte dhe kontaktet që kishte, kanë bërë që në zgjedhjet e fundit të mbështesë partinë e zotit Doshi, PSD.

Në zgjedhjet e vitit 2015, ka bërë lëvizje vetë, “Ora e Shqipërisë”, ka marrë 6-7 këshilltarë. Ai ishte i rëndësishëm në Lezhë dhe ishte faktor për shkak të ndikimit personal dhe si farefis.

Më mbrapa ka mbështetur forca politike në aleancë me mazhorancës. Janë zonat me ndikim katolik dhe zonat që vijnë nga malësia. Duke qenë njeri që ka patur biznese, lokale, ndërtime… Nuk ishte tip i “mbjelljeve”. Ka patur më shumë para se mund të diskutohet me “mbjelljet”.

Vijmë te pjesa tjetër, në bisedën e fundit që kam patur me të e kam pyetur për këtë gjë. Ai synonte të merrte 7-10 këshilltarë bashkiakë për PSD. Së dyti e kam pyetur, sepse kisha dëgjuar nga njerëz që e njihnin, që në Lezhë ka garë, sepse filani do të mbështesë kandidatin e opozitën. Pra për këshillarë do ti çonte votat majtas dhe për kandidat djathtas.

Nëse kemi të bëjmë me variantin e gjakmarrjes, është hapur një lojë shumë e madhe. Ai ka patur vëllain të vrarë. Nga krahu tjetër, fisi Palaj, janë vrarë dy.

Kam komunikuar edhe në atentatin që iu bë Aleks Dedës, që ka qenë në prani të Ardian Nikulajt. Është momenti i vetëm që kemi patur të Ardianit në një pamje video, ai ka shpëtuar këtu. Ata që gjuajnë, gjuajnë në drejtimin ballor me Aleks Dedën”, tha ndër të tjera Hoxha.


Shtuar 20.04.2023 22:06