Kriza e hidrokarbureve dhe impakti i saj në ekonominë vendase

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për të tetën herë radhazi në vetëm pak muaj, duke e çuar çmimin për një litër naftë në vlerën 187 lekë. Sipas Bankës Kombëtare, rritja e çmimit të naftës është një reflektim i nivelit në rënie të rezervave të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëzhguar në bazë vjetore, çmimi i naftës ka shënuar rritje të ndjeshme prej 69.5%, që më së shumti vjen si pasojë e bazës së ulët nga viti i kaluar. Një arsye tjetër është se Shqipëria është një nga vendet që takson naftën më shumë se çdo vend tjetër në Evropë dhe rajon. Në çmimin final të produktit sipas përllogaritjeve rreth 104 lekë kanë të bëjnë me 8 taksa mbi çdo litër naftë, ku 5 prej tyre janë: ajo e akcizës, TVSH-së , taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe taksa e rilicensimit mblidhen nga qeveria.

Tarifat e tjera si markimi, skanimi dhe kontrolli i pompës shkojnë për kompanitë private që ofrojnë këto shërbime.

Me rritjen e çmimeve të hidrokarbureve, rritet edhe inflacioni. Çmimet po rriten brenda natës dhe lista e produkteve, çmimet e të cilave janë jashtëzakonisht të larta po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Shporta ushqimore pati një rritje të menjëhershme prej 3.6%. Rritja më e lartë në harkun kohor të një viti ka qenë çmimi i një litri vaj, i cili është rritur me rreth 35% dhe në ditët në vijim pritet të rriten me 10% edhe produktet e qumështit.

Por popullsia e Shqipërisë nuk e përballon dot rritjen e çmimeve, sipas Anketës së të Ardhurave dhe Standardeve të Jetesës (AANJ) që mat standardin e jetesës, 40% e shqiptarëve janë në prag të varfërisë, nuk përballojnë dot rritjen e çmimeve, por veçanërisht për shportën kryesore të mallrave të konsumit.

Sipas Instat, rritja e çmimeve ka vijuar edhe në janar të këtij viti. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin e lënë pas ishte 3.7%, një vit më parë ky tregues shënonte 0.4%.

Rritja me shpejtësi e çmimeve për një gamë të gjerë artikujsh, veçanërisht lëndët e para me një ndikim zinxhir në treg (si nafta, metalet dhe gruri) i kanë zënë në befasi konsumatorët, bizneset dhe politikëbërësit pas një dekade gjatë së cilës shqetësimet e inflacionit ishin zhdukur. Por ndërkohë që në terma makroekonomikë, lëvizjet e çmimeve duket se janë të monitoruara, në ekonominë reale, veçanërisht në bizneset importuese, kjo situate ka krijuar shqetësime. Kompanitë vendase në industrinë e prodhimit po përballen me rritjen e çmimeve të mallrave. Në tetor 2021, kostot bazë të prodhimit të fermerëve u rritën me 70-80%, paralelisht u rrit edhe çmimi i energjisë. Kostot direkte në industrinë e qumështit u rritën me 10-11%. Situata është e ngjashme në industrinë e mishit. Të gjithë janë në favor të pagesës për cilësinë, por tani për tani ky transformim është i ngadalshëm.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se tregjet shqiptare reflektojnë menjëherë rritjen e çmimit në tregjet ndërkombëtare por nuk reflektojnë aspak uljen. Kështu, kanë kaluar vetëm pak ditë nga vlerësimi i naftës në tregjet ndërkombëtare dhe kjo tashmë është reflektuar edhe në Shqipëri. Sipas ekspertëve, kjo tregon mosfunksionimin e tregut pasi pikat e karburantit nuk mund të reflektojnë kaq shpejt rritjen e çmimit pasi kanë rezerva.

Një tjetër arsye e rritjes së çmimit të hidrokarbureve është fakti se Shqipëria, megjithëse i ka të gjitha mundësitë për të qenë vend prodhues, varet ende nga tregu i importit. Ne nuk jemi pjesë e bursës dhe jemi dora e 3-të apo e 4-të, sepse shteti ka vendosur të importojë lëndë të parë. Por, edhe pse tregu shqiptar po përballet me rritjen e çmimeve sipas JP Morgan Global Equity ka të ngjarë çmimet e naftës mund të arrijnë në 125 dollarë për fuçi që në tremujorin e dytë të këtij viti duke qenë se ka mungesë prodhimi nga OPEC +, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe nga prodhuesit aleatë.

Përgatiti: Armela Toska


Shtuar 24.02.2022 15:44