Një ditë para mocionit me debat që pritet të zhvillohet në Kuvend, deputetët e opozitës kanë kërkuar kthimin në Parlament të demokratëve të përjashtuar.
Ditën e sotme, jashtë ambienteve të Kuvendit ata folën edhe mbi rrëzimin e kërkesës së tyre për përjashtimin e ministres Elisa Spiropali nga seancat plenare me argumentin se kjo e fundit ka shkelur etikën me gjuhën e përdorur gjatë seancës së fundit në Kuvend.
Në një deklaratë për mediat, deputeti, Oerd Bylykbashi tha se vendimi i marrë ditën e sotme nga sekretariati i Etikës, tregon standardin e dyfishtë që sipas tij qeveria po përdor për të përjashtuar deputetët e opozitës me qëllim që këta të fundit të mos jenë të pranishëm për debat në seancë plenare.
Bylykbashi: Kërkuam që të përdoret i njëjti standard që është përdorur masivisht kundër deputetëve të opozitës. Është tregues i qartë i dy standardeve që kjo mazhorancë po përdor si dhunim ndaj deputetëve të opozitës me qëllim që të pengojnë praninë e deputetëve në sallë. Kemi kërkuar thjesht mbajtjen e mocionit dhe ngritjen e komisionit për çëshjten ‘Mc Gonigal. Vendimi i mazhorancës që të rrëzojë kërkesën tonë për përjashtimin e Spiropalit, është standard i dyfishtë. Edi Rama që përfaqësohet nga Spiropali është simboli i dhunës verbale. Nuk presim zgjidhje nga kjo gjë.
Ata kërkuan edhe që të nesërmen, të pranishëm në seancë të jenë edhe 4 deputetët Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi të cilët me vendimin e 21 shkurtit, janë përjashtuar nga seancat plenare për 10 ditë që do të thotë se të nesërmen nuk do mund të jenë të pranishëm kur të mbahet mocioni me debat./Albeu.com/