Moderatorja Oriela Nebijaj e cila i është bashkuar prej kohësh televizionit “Top Chanel”, tashmë është kandidate për deputete dhe e 18-në listën e Tiranës pas një kohe të gjatë shkëputje nga politika.
Ori Nebijaj ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike si zëdhënëse dhe ka kandiduar për drejtimin e FRPD-së përballë Belind Këlliçit.
Së fundmi, moderatorja ka qenë e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku u shpreh me bindje të plotë se Partia Demokratike do të marrë të paktën 20 deputetë në Tiranë, ku dhe vetë kandidon.
E pyetur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e ekranit, Ori tha:
“Ky ishte një moment i mirë për mua, duke qenë aktivisht në politikë, për të kandiduar dhe për të qenë në listë, sepse edhe pjekuria ime politike në angazhimin që unë kam pasur prej vitesh tashmë në strukturat e partisë, që ka filluar që në forumet e partisë. Më pas si zëdhënëse e PD-së, ku pata mundësinë që për të paktën 3 vite ta njihja mirë se organizohej partia, si funksiononte.
Media ka qenë si një plotësim i një dëshire që unë e kam pasur që e vogël, por asnjëherë nuk ka qenë objektiv i jetës sime dhe angazhim me kohë të plotë.Ekranin e kam ende, sepse ky është një pakt aktualisht me një kontratë që unë e kisha dhe që mund të vazhdoj ta kem deri pas 25 Prillit. Orin pas datës 25 do ta shihni në Parlament. Unë besoj që Partia Demokratike në Tiranë do të marrë të paktën 20 deputetë. Ne punojmë për të arritur tek 20-ta”.