Jahti turistik “Dragonfly” ndalon në Portin e Durrësit

Në Portin e Durrësit ka mbërritur sot superjahti “Dragonfly”, me  gjatësi 142 metra, i ndërtuar nga kantieri gjerman Lürssen dhe i pajisur me teknologji të avancuar e dizajn luksoz.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur për ATSH-në se ky jaht u nis nga porti i Palermos dhe mbërriti paraditen e sotme në Portin e Durrësit.

Fillimisht i pagëzuar me emrin “Alibaba”, ky jaht u porosit nga bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin. Vetëm dy ditë më parë në Portin e Durrësit u ankoruan tre jahte turistike, të cilat morën shërbime turistike të ndryshme.

Jahtet ishin në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, njëherazi edhe pronar i klubit të njohur të futbollit Manchester City.

Në Portin e Durrësit edhe këtë sezon turistik vijon ankorimi i jahteve turistike. Edhe këtë vit numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në këtë port është rritur ndjeshëm ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre.

Durrësi dhe bregdeti i Shqipërisë prej vitesh tashmë janë kthyer në mikpritës të jahteve luksozë nga e gjithë bota.


Shtuar 9.08.2025 20:16