Institucionet qendrore rrisin borxhet, shkojnë 3.5 mld lekë! Ministria e Infrastrukturës kërkon fond t’i shlyejë

Institucionet e qeverisjes qendrore i kanë rritur borxhet në tremujorin e parë të këtij viti. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se stoku i detyrimeve të papaguara të ministrive, Kuvendit, Fondit Shqiptarë të Zhvillimit, Presidencës, KLP-së e Prokurorisë së Përgjithshme nga 3 miliardë lekë në fund të vitit 2023, kanë arritur në 3.5 miliardë lekë në fund të muajit mars.

Vlera më e madhe e borxheve të pashlyera i takojnë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndjekur nga Ministria e Brendshme dhe më pas e Mbrojtjes.

Investimet e papaguara kryesojnë listën për detyrimet e institucioneve. Referuar shifrave 1.4 miliardë lekë ishte vlera e investimeve të pashlyera, ku 1.2 miliardë lekë i takonin MIE-s, ndjekur nga Ministria e Financave me 38 milionë lekë, dhe ajo e Turizmit me 36 milionë lekë borxhe për investime.

Së fundmi Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar shtesë fondesh prej 2.3 miliardë lekë me argumentin për të shlyer detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi në 4 mujorin e I, të vitit 2024, në sektorin e transportit rrugor.

Vendimet gjyqësore mbajnë peshën e dytë më të madhe të detyrimeve të prapambetura, ku rol kyç luajnë largimet e punonjësve nga puna, e që përfundojnë në Gjykatë, ku më pas të larguarit  shpallen fitues. Janë 953 milionë lekë detyrime që lindin nga vendimet gjyqësore, nga të cilat 556 milionë lekë i takojnë Ministrisë së Brendshme, 105 milionë lekë Ministrisë së Shëndetësisë dhe 100 milionë lekë detyrime për vendimet gjyqësore Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë. Kjo e fundit ka kërkuar nga financat buxhet shtesë 1.8 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve gjyqësore të formës së prerë pas vendosjes së sekuestro konservative.

Pjesa tjetër e borxheve të institucioneve shtetërore janë për mirëmbajtje, shërbime, sigurime shoqërore etj. Ndërsa borxhet e shoqërive ujësjellës-kanalizime, janë ulur në 209.5 milionë lekë, nga 227 milionë lekë që ishin në fund të vitit të kaluar.

BORXHET E INSTITUCIONEVE JANAR-MARS
Ministria e Infrastrukturës                           1,438 mln lekë
Ministria e Mbrojtjes                                   627.2 mln lekë
Ministria e Brendshme                                 590.9 mln lekë
Ministria e Shëndetësisë                              226.4 mln lekë
Institucione të tjera Qeveritare                    214.5 mln lekë
Ministria e Financave                                  177.6 mln lekë
Prokuroria e Përgjithshme                           105.6 mln lekë
 Ministria e Ekonomisë                                  76.7 mln lekë
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë          41.6 mln lekë
 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit                 36.2 mln lekë
Fondi Shqiptar i Zhvillimit                            31.5 mln lekë
Ministria e Drejtësisë                                     11.7 mln lekë
Ministria e Bujqësisë                                       0.6 mln lekë
Presidenca                                                        0.1 mln lekë
TOTAL I DETYRIMEVE                           3,579 mln lekë
BORXHET E INSTITUCIONEVE QENDRORE
Dhjetor 2023       3,012 mln lekë
Mars 2024           3,579 mln lekë
Diferenca             +567 mln lekë
DETYRIMET PËR VENDIMET GJYQËSORE
Ministria e Brendshme           556 mln lekë
Ministria e Shëndetësisë        105 mln lekë
Ministria e Infrastrukturës     100 mln lekë


Shtuar 5.08.2024 16:39