I riu nga Kosova i kishte premtuar kalim drejt BE-së, 24-vjeçari nga Bregu i Fildishtë vjen në Shqipëri me vizë false

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 30-vjeçar nga Kosova, pasi ky i fundit i kishte siguruar një kontratë punësimi fiktive, një shtetasi nga Bregu i Fildishtë.

30-vjeçari i arrestuar kishte qëllim që pasi shtetasi i huaj të hynte në Shqipëri, ta ndihmonte kundrejt pagesës, që të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin me vendet e BE-së.

24-vjçari nga Bregu i Fildishtë, i cili kishte hyrë në Shqipëri me vizë të falsifikuar është proceduar penalisht.

Viza false ishte siguruar nga 30-vjeçari i arrestuar.

Si rezultat i operacionit “Kontrata 2” u bë arrestimi i shtetasit R. M., 30 vjeç, banues në Tiranë.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi R. M. i ka siguruar kontratë punësimi fiktive shtetasit A. K., nga Bregu i Fildishtë, me qëllim që pasi ai të hynte në Shqipëri, ta ndihmonte atë, kundrejt fitimit, për të kaluar në mënyrë të jashtëligjshme drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin zyrtare.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin e huaj, A. K., 24 vjeç.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /albeu.com


Shtuar 17.11.2023 09:39