I fshehu në ferra e më pas u pendua, si i vodhi polici 30 mijë euro në Belsh

Gjykata e Elbasanit ka lënë në masën Arrest me burg policin e Cërrikut, Geraldo Nela, i akuzuar për vjedhjen e 30 mijë eurove gjatë kontrollit të një banese. Euronews Albania sjell ekskluzivisht dosjen hetimore për mënyrën si u realizua vjedhja dhe si u zbulua nga prokuroria dhe agjencia e mbikëqyrjes policore.

Më 20 dhjetor, 1 javë më parë, me vendim gjykate rreth orës 7 të mëngjesit policia do të shkonte për kontroll në banesën dhe stanin e shtetasit Banush Kuqja, në fshatin Marinzë në bashkinë Belsh.

Në kontroll do të asistonte edhe djali i Banushit, Syrja Kuqja, duke qenë se banonte ngjitur me shtëpinë e babait.

Nuk dihet se pse do të kryej kontrolli por polici 24 vjeçar Geraldo Nela, i vënë nën akuzë për vjedhje, është identifikuar nga bashkëshortja e kallëzuesit.

Vjollca Kuqja ka deklaruar se ka marr lekët që kishin në banesë, të cilat i kishte poshtë divanit, një shumë prej 30000 Euro, të prerjes 50 Euro, të mbështjella me qese plasmani me ngjyrë të zezë me lule rozë. Sipas saj lekët i ka marrë se ka pasur frikë se policia do bënte kontroll te banesa e saj dhe do i gjente aty.

Ka marrë lekët nga banesa duke i mbajtur poshtë xhupit dhe i ka fshehur te disa dru qe i kishte për ndezjen e zjarrit te oborri i banesës. Në oborr sipas saj u fut vetëm polici Geraldo Nela.

Edhe kallëzuesi Syrja Kuqja ka deklaruar se paratë ishin të gjitha prerje 50 euro dhe shuma prej 30 mijë eurosh ishin kursimet e tij nga puna në emigracion.

Fillimisht polici i komisariatit të Cërrikut ka mohuar akuzën por më pas është penduar.

Sipas dosjes hetimore pasi kishte vjedhur lekët në stivën e druve, ai i ka fshehur ne një ferrë anës rrugës jashtë portës së banesës së Syrja Kuqjas.

Madje 1 ditë pas ngjarjes, pasi ishte identifikuar nga bashkëshortja e kallëzuesit të cilës i kishte thënë fillimisht “nuk kam marrë lek e nuk do merrem me gra” ai i ka treguar vendin ku i kishte fshehur duke i kërkuar falje.

Paratë u numëruan nga agjentët e agjencisë së mbikëqyrjes policore dhe rezultoi shuma 30 mijë euro.

Në lidhje me veprimin polici i ri ka deklaruar se ndihej i penduar dhe se nga frika dhe nga zori nga kolegët e tjerë për momentin nuk ka reflektuar duke e mohuar një fakte të tillë.