Humbi jetën pasi u përplas me Jet Ski në Velipojë, prindërit e 19 vjeçarit italian kërkojnë drejtësi

Prindërit e 19 vjeçarit italian që u aksidentua me Jet Ski në plazhin e Velipojës, të dielën e 18 gushtit kanë kërkuar drejtësi nga autoritetet shqiptare.

19 vjeçari, Nicola Lorio ishte në Shqipëri me familjen e të dashurës së tij, ndërsa një përplasje midis dy Jet Skive, të drejtuara nga viktima dhe vëllai i të dashurës së tij, ka rezultuar fatale për jetën e të riut. Vëllai i të dashurës u arrestua nga policua nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Prindërit e 19 vjeçarit, të shkatërruar nga dhimbja e humbjes së djalit të tyre, i cili ndërroi jetë menjëherë pas transportit për në spitalin e Shkodrës për shkak të traumave shumë të rënda të raportuara, kërkojnë që të hidhet dritë e plotë mbi dinamikën e aksidentit.

Më herë Newsbomb.al raportoi fjalën e të dashurës së të riut, i cili mbeti viktimë e këtij aksidenti. Ajo shprehej se ngjarja ishte aksidentale dhe vëllai i saj nuk ishte përgjegjës për vdekjen e tij, ndërsa akuzon autoritetet e drejtësisë shqiptare se po përpiqen me çdo kusht që të gjejnë një fajtor, dikë të pafajshëm.

Trupi i nëntëmbëdhjetë vjeçarit do të niset këtë mbrëmje me traget për në Casal di Principe dhe më pas do të qëndrojë në shtëpinë e familjes deri pak para varrimit.

Djaloshi italian do të përcillet për në banesën e fundit, të premten e 23 gushtit në orën 11:00, në kishën e Spirito Santo, nga peshkopi i dioqezës së Aversa Angelo Spinillo.


Shtuar 21.08.2024 23:19