Gjykata e Lartë ka reaguar me shqetësim për kërcënimet që kanë marrë magjistratët për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
Presionet apo kërcënimet e ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë, që shton se gjyqtarët mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve.
“Qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij, dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cenojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut te drejtësia. Presionet apo kërcënimet e çfarëdolloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se, gjykatat dhe prokuroritë janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë dhe se çdo tentativë për cenim të integritetit fizik e moral të tyre, ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit në përgjithësi dhe atë individuale, të magjistratit në veçanti.
Me besimin se kolegët magjistratë do të vijojnë të kryejnë me vendosmëri dhe përgjegjshmëri detyrën e tyre sublime, njëkohësisht mbështesim organet ligj zbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme”.
Ky reagim vjen pasi tie gjyqtare të Gjykatës së Apelit janë kërcënuar gjatë shpalljes së vendimit ndaj një grupi kriminal. Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dfhe Edlira Petri janë kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë shpalljes së një vendimi. Menjëherë gjyqtaret kanë kryer kallëzimin se janë kërcënuar për shkak të detyrës dhe Prokuroria ka nisur me urgjencë hetimet për çështjen.
Burimet, i thanë Anila Hoxhës se, kërcënimi i gjyqtareve ndodhi ditën kur ata dënuan 5 shtetas dhe konkretisht; Daut Elmazin, Gentian Zoton, Igli Memajn, Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn, të cilët ishin akuzuar për një atentat të vitit 2019-të në qytetin e Vlorës, me të cilin u synua të vritej një personazh i botës së krimit i identifikuar si, Ines Hajrulla.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, pasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eliminimin e saj apo të një të afërmi.
Pasi prokurorja speciale u mor nën ruajtje familjarisht, kryeprokurori i SPAK kërkoi rishikim të masave të sigurisë dhe mbrojtje më të shtuar të godinës nga Garda e Republikës.