Furgoni i Ministrisë së Shëndetësisë del nga rruga në aksin Lezhë-Laç, humb jetën shoferi! Dyshohet se pësoi atak kardiak

Furgoni i Ministrisë së Shëndetësisë raportohet se ka dalë nga rruga në aksin Lezhë-Laç. Burime bëjnë me dije se shoferi i furgonit ka pësuar arrest kardiak dhe ka ndërruar jetë.

Për pasojë furgoni ka dalë nga rruga, siç shihet edhe në këto pamje që sjell Report Tv. Ardian Stafa 50 vjeç është shoferi që humbi jetën, ndërsa në furgon ndodheshin edhe 4 persona të tjerë, personel i Ministrisë së Shëndetësisë. Ata po udhëtonin në drejtim të Shkodrës.

Ndërkohë, personat e tjerë që ndodheshin në furgon janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Rreth orës 10:00, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, shtetasi Ardian Stafa, rreth 50 vjeç, teksa drejtonte automjetin, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak. Si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe 50-vjeçari ka humbur jetën”, njofton policia.

Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.


Shtuar 23.05.2024 10:23