Fluks emigrantësh drejt Britanisë, Rama: Trendi do të balancohet, do të ketë më shumë kthime sesa ikje

Kryeministri Edi Rama ka komentuar fluksin e emigrantëve drejt Britanisë duke thënë se ka besim që ky trend do të balancohet dhe të gjithë shqiptarët që janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë, do të kthehen sërish. Në emisionin ‘Real Story’, thotë se do të ndikojnë faktorë të ndryshëm që do të përmirësojnë jetën në Shqipëri.

Sa i përket intervistës me prestigjiozen britanike BBC, tregon një moment që nuk është transmetuar pasi ka përmendur shifrën e lartë emigrantëve britanikë drejt Australisë.

“Në bisedën me gazetaren e BBC nga Berlini, ishte një pjesë që e kishin parë të arsyeshme ta prisnin. Britania e Madhe ishte fuqi e madhe, ndonëse e goditur nga Lufta e Dytë Botërore por kushtet e të cilës në vitet 50 apo në fillim të viteve 60 ishin kushte, nuk mund të them të ngjashme por mbase të ngjashme me raportin relative dhe i solla shifrat e të ikurve nga Britania drejt Australisë që ka krijuar popullsi prej 10 milionë e kusur njerëzish drejt Amerikës. Të gjithë vendet kanë fazat e tyre dhe nuk mund të konsiderohet veçanti shqiptare, aq më tepër që për shqiptarët vjen pas një izolimi të gjatë dhe jam i bindur që shqiptarët që do të kenë fazën tjetër, kurrë nuk do të ndalojnë së ikuri por trendi do të kthehet në sensin që do të ketë më shumë kthime sesa ikje. Kam besim që ky trend do balancohet për shkak se ekonomia këtu, nëse do na lejojnë gjithë rrethanat do të zgjerohet e do të zhvillohet pa diskutim.

Viti i ardhshëm nuk ka si  të jetë për ndonjë ekspansion ekonomik, por kur flas konsideroj dhe rrethanat e tjera. Besoj se duke zgjeruar burimet e rritjes ekonomike, kam edhe gjasën e shfrytëzimit të pasurive natyrore, atyre të zbuluara rishtaz dhe të tjerave. Kam parasysh investimet në process dhe atyre që janë në kanal për të filluar realizimin që janë shumë domethënëse, në energji, turizëm dhe infrastrukturë”, tha Edi Rama.

Shtuar 3.11.2022 21:21