Presidenti Begaj mbajti një fjalim me rastin e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Presidenti vlerësoi princat shqiptar të asaj kohe që u bashkuan për të mirën e atdheut.
Begaj shtoi se historia duhet mbajtur gjallë dhe ato figura duhen nderuar me përulje dhe mirënjohje.
Fjalimi i plotë i Presidentit Bajram Begaj:
Zoti Kryetar i Bashkisë,
I nderuar Kryetar Madeo,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës shënon një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë mbarëkombëtare.
2 Marsi 1444 qëndron si dëshmi e unitetit, guximit dhe përkushtimit të shqiptarëve për liri e pavarësi.
Nën udhëheqjen e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ne mbetëm të gdhendur në kronikat më të rëndësishme evropiane të kohës e shekujve më pas, si shembull i qëndresës dhe guximit për të gjithë Evropën.
Bashkimi i shqiptarëve në Lezhë 580 vjet më parë mbetet një lajtmotiv evropian i qëndresës së përbashkët kundër çdo agresioni.
Sot, faktori shqiptar në Ballkan vijon të luajë rol thelbësor në paqen dhe orientimin perëndimor të rajonit.
Në kushtet e sotme gjeopolitike, ku sfidat dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të popujve, përfshi atyre të Ballkanit, dhe integritetit territorial evropian, janë aktuale, veçanërisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, Besëlidhja e Lezhës e roli i historik i shqiptarëve marrin një rëndësi të veçantë.
Ato na kujtojnë se bashkimi dhe solidariteti janë thelbësorë për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe të lirisë. Ato na mësojnë se përballë sfidave nuk mund të qëndrojmë të ndarë, por vetëm të bashkuar.
Të nderuar pjesëmarrës,
Natyrisht, ky rrëfim historik nuk do të kishte kuptim pa komunitetin arbëresh, fëmijë të atyre patriotëve që, ndonëse u larguan me forcë nga vendlindja, nuk i harruan kurrë rrënjët.
Arbëreshët, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare, janë dëshmi e gjallë e bashkimit dhe forcës së identitetit shqiptar që mbijeton pavarësisht kufijve dhe kohës.
Ata tregojnë se edhe larg dheut amë, zemra shqiptare rreh me të njëjtin ritëm të guximit dhe ndershmërisë, të krenarisë dhe respektit për tjetrin.
Prania e tyre këtu sot, për të festuar së bashku, është simbolikë e një ure që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë kuptim të ardhmes sonë.
Akti i Besëlidhjes dhe shembulli i arbëreshëve na kujtojnë se bashkimi është forca që çdo ëndërr për liri dhe prosperitet e bën të mundur dhe të pashmangshme.
Ne kemi detyrë të mbajmë gjallë historinë tonë, ku Besëlidhja e Lezhës qëndron si kujtesë e dashurisë për lirinë dhe njëri-tjetrin.
Njëkohësisht, në këtë ditë të shënuar të historisë shqiptare, më lejoni të theksoj rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me NATO-n dhe vijimit me bindje të rrugëtimit tonë drejt integrimit të plotë në BE.
Padyshim që duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat shqiptarët përballen brenda vendit e kudo në rajon, por le të mos harrojmë se një ditë si kjo e sotmja provon aftësinë tonë për të adresuar çdo sfidë.
Me orientimin tonë të palëkundur evropian, le të vijojmë të ndërtojmë mbi themelet e shëndosha të vendosura 580 vjet me parë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të përqafojmë ndryshimet demokratike.
Të nderuar bashkatdhetarë,
580-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës është një ftesë sa historike, aq dhe aktuale për të ripërsëritur përkushtimin tonë ndaj kombit shqiptar.
Mbi të gjitha, le të përulemi me mirënjohje dhe të nderojmë sakrificat e atyre që para nesh u angazhuan për atdheun që ne gëzojmë sot e të ecim në rrugën që ata çelën: rrugën e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit mbarëkombëtar.
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!