Prindër, fëmijë e gjyshe protestuan në Elbasan kundër projektligjit për shëndetin seksual dhe riprodhues, i cili njeh surrogacinë, ndërprerjen e shtatzënisë në moshën 16-vjeçare pa dijeninë e prindit dhe sterilizimin e të rinjve.
Protesta u iniciua nga shoqëria civile, me prezence të komunitetit fetar mysliman, të cilët edhe me herët kanë bërë kërkesa për ndërprerjen e konsultimit publik për këtë projektligj.
“Kjo lëvizje është shkatërrim i familjes. Shoqëria jonë ka aq plagë sa duhet të rregullojmë ato jo te hape plagë të reja”, tha një grua, protestuese.
“Jemi kundra projektligjit që duan të paraqesin në parlament. Aq më tepër për atë akt të turpshëm ku dy vajza kurorëzuan martesën e tyre në institucionin e bashkisë. Kemi dalë për të mbrojtur familjen. Merren iniciativa të tilla që vënë në rrezik familjen, tha Dorian Balliu, Imam.
“Kanë ndodhur tre ngjarje, që janë me të njëjtën logjikë, ndryshimin e strukturës së familjes. Po parashikohet një lloj dhënie mitrës së nënave me qira. Surrogacia do të marre në qafë ato gra dhe vajza që kanë probleme familjare. Projektligji ju mundëson dhe të huajve që të bëjnë këtë proces. Do të kemi marrëdhënie tregtie. Pra fëmija do të jetë një mall”, tha Gentian Sejrani, jurist.
Projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues, hartuar nga Ministria e Shëndetësisë është duke u diskutuar në konsultim publik dhe ende nuk ka mbërritur në Kuvend.