Erisa Xhixho: Dhjetë zona të mbrojtura janë në listën e qeverisë për t’iu bërë dhuratë klientëve të saj

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se dhjetë zona të mbrojtura janë në listën e qeverisë për t’iu bërë dhuratë klientëve të saj.

Postimi i Xhixhos:

Dhjetë zona të mbrojtura janë në listën e qeverisë për t’iu bërë dhuratë klientëve të saj.
Falë ligjit “Për zonat e mbrojtura” që u kalua në Kuvend me forcën e kartonit, këto 10 zona janë gati për t’u vënë në shërbim të interesave financiare të një grupi njerëzish që ligjin e kanë bërë me porosi.

10 projekt-vendime që i hapin rrugën ndërtimit në zonat e mbrojtura janë hedhur për konsultim publik, falë një ligji të miratuar me një urgjencë të pajustifikuar, pikërisht për të fshehur mungesën e analizës dhe hapësirat e lëna për korrupsion.

Ky ligj u kufizon këtyre zonave shkallën e mbrojtjes, duke i kthyer në kantiere ndërtimi për të cilat vendos KKRT, një organ politik që drejtohet dhe është në shërbim të kryeministrit Rama.

Zonat e listuara për të kënaqur orekset e klientëve të qeverisë janë:
1-Bredhi i Drenovës
2-Rrushkull
3-Bunë Velipojë
4-Pishë-Poro-Nartë
5-Liqeni i Pogradecit
6-Kuturman-Qafë Bush
7- Krastë
8-Guri i Nikës Valamarë
9- Bjeshkët e Oroshit
10-BishtKamëz.

Ne do t’i bashkohemi çdo zëri kundër tjetërsimit të këtyre zonave gjatë fazës së konsultimit publik të projekt-vendimeve të veçanta. Ato janë produkt i një ligji antikushtetues dhe që nuk i mbron këto zona, të cilin bashkë me organizatat e shoqërisë civile e kemi kundërshtuar që në krye të herës.

Vënia në zbatim e këtij ligji, duke anashkaluar thirrjen e BE-së për tërheqjen e tij, dhe hapja e rrugës për ndërtime në këto zona duhet të ndalet me çdo kusht.

Për të ndaluar zbatimin e këtij ligji edhe në kosultimet me shoqërinë civile dhe opozitën, duhet të çojmë sa më parë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Ne do ta vazhdojmë betejën ligjore gjithashtu edhe protestën qytetare duke përdorur çdo mjet demokratik për të ndaluar këtë masakër mjedisore me pasoja shumë të mëdha.


Shtuar 13.08.2024 17:53