Interpol Tirana njofton se ka ekstraduar shtetasin shqiptar Bardhyl Luli, 54 vjeç, pasi fshihej prej kohësh në Itali, me dokumente false.
Luli akuzohet për vrasje të trefishtë në Torovicë, ndërsa që prej 1993 ai qëndronte në shtetin italian.
“Hyri dhe qëndroi ilegalisht në Itali, me dokumente false, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet në Shqipëri, për vrasje të trefishtë, në vitin 1993, në Torovicë, ekstradohet 54-vjeçari.
Lokalizimi i këtij shtetasi, rezultat informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e tij, dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës”, njofton policia.
Si rezultat i punës intensive të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, si dhe i verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, u krye ekstradimi nga Milano, i shtetasit Bardh Lula alias Bardhyl Luli, 54 vjeç.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burgim, pasi më datë 12.06.1993, në vendin e quajtur “Kroi i Denicës”, Torovicë, ka vrarë 3 shtetas.
Nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Policia e Shtetit dhe Policia italiane, rezultoi se shtetasi Bardh Lula alias Bardhyl Luli, që në vitin 1993, kishte hyrë dhe qëndronte në Itali, me dokumente false.
54-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.