EMRI/ Vrasja për raki në Lushnje, Gjykata e Lushnjes “fal” 58-vjeçarin, i heq burgun përjetë dhe i jep 33 vite dënim

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar dënimin me burg përjetë për 58-vjeçarin Sofokli Shani, që vrau me armë zjarri Irakli Qorrin dhe plagosi djalin e tij, ngjarje e ndodhur më 4 qershor 2021 në një lokal në fshatin Fier i Ri.

Apelit ka ndryshuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Lushnjës për Shanin, duke ulur dënimin nga burgim i përjetshëm në 33 vite burg.

Një konflikt i çastit i nisur në një lokal përfundoi me vrasjen e një 62-vjeçari dhe plagosjen e djalit të tij.

Rako Qorri dhe djali i tij, Kejdi Qorri, 31 vjeç u qëlluan me breshëri kallashnikovi në ambientet e lokalit që kishin në pronësi.

Nga të shtënat humbi jetën në vend 62-vjeçari, ndërsa u transportua në gjendje të rëndë për jetën drejt spitalit djali i tij.

VENDIMI I GJYKATËS

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 02.06.2021 rreth orës 20:30, salla operative e Komisariatit të Policisë Lushnjë është njoftuar së në fshatin “Fier i Ri, Njësia Administrative Krutje, ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e një konflikti momental me pronarin e lokalit, shtetasi me iniciale Sofokli Shani ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i vrarë në vend shtetasi me iniciale R.Q (pronari i lokalit) si dhe ka mbetur i plagosur djali i tij shtetasi me iniciale K.Q.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale Sofokli Shani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në Rrethana të tjera cilësuese” si dhe “ Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/1/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin nr. 399 (2380), datë 16.12.2022 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

2. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodi Penal dhe dënimin me 6 (gjashtë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 të Kodi Penal dhe dënimin me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Sofokli Shani dënohet me burgim të përjetshëm.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale Sofokli Shani, i cili kërkoi:

– Ndryshimin e vendimit në raport me kualifikimin e veprës penale, duke kryer cilësimin juridik në atë të parashikuar në nenet 76, 278 dhe 91 të K.Penal.

– Revokimin e vendimit për mospranimin e gjykimit të shkurtuar duke aplikuar nenin 403 të K.Pr.Penale, duke zbritur një të tretën e masës së dënimit, në bazë të dënimit që do të caktohet nga gjykata.

Në përfundim të gjykimit, më datë 30.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Valbon Çekrezi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 399/2380, datë 16.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për sa i përket:

– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni
79/dh i Kodit Penal.

– Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh dhe masës së dënimit të dhënë për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 te Kodit Penal;

– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal;
-Disponimit mbi provat materiale, vuajtjes së dënimit dhe disponimet për shpenzimet procedurale.

-Ndryshimin e vendimit penal nr. 399/2380, date 16.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë në pjesën tjetër si me poshtë:
-Dënimin e të pandehurit S.Sh në bazë të nenit 79/dh te Kodit Penal me 30 (tridhjete) vjet burgim.-Në zbatim të nenit 55 te Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin përfundimisht të të pandehurit Sofokli Shani me 33 (tridhjete e tre) vjet burgim.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e 4 qershorit. Gjithçka nisi kur Sofokli Shano, 57-vjeçar, u përfshi në një debat me pronarin 62-vjeçar të lokalit për një gotë raki, debat i cili agravoi fillimisht në konflikt fizik.

Klienti goditi me karrige në kokë pronarin e lokalit dhe djemtë e tij më pas reaguan duke dhunuar 57-vjeçarin, i cili i sulmoi me automatik.

57-vjeçari Sofokli Shani rezulton se ka qenë i dënuar për një vrasje.

Para viteve ’90 kur, ai ishte 17 vjeç, ka vrarë me thikë shokun, krim për të cilin ka bërë 15 vite burg dhe është liruar në vitin 1992./Albeu.com/


Shtuar 30.05.2023 14:14