EMRI/ Me doza kokaine të bëra gati për t’i shitur në lokalet e natës, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari në Sarandë

Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar në Sarandë. Mësohet se Xhulian Halilit 28 vjeç, pas një kontrolli në automjet i është gjetur 207 gramë kokainë.

Bëhet me dije se Halili siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe më pas e shiste në lokalet e natës në Sarandë. Për pasojë u sekuestruan automjeti, celulari si dhe lënda narkotike.

Sarandë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë operacioni policor i koduar “Nexus”.

Sekuestrohen 207 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar “Tempulli 3”, të mbështetura dhe nga inteligjenca operative, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Nexus”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Xhulian Halili, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në aksin rrugor Skërficë-Sarandë, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit në automjetin e tij i gjetën 207 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, dyshohet se e ndante dhe e shiste lëndën narkotike në doza, kryesisht në lokalet e natës në qytetin e Sarandës.

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Shtuar 20.07.2024 16:53