EMRI/ Vritet me kaçavidë 26-vjeçari në Dibër pas një konflikti

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dibër gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme.

Një konflikt mes dy personave ka agravuar deri në përdorimin e armëve të ftohta. Si pasojë, 26-vjeçari Dritan Manjani ka humbur jetën.

Ngjarja ka ndodhur në Homesh, ndërsa Manjani është goditur me kaçavidë dhe nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

Autor i dyshuar i ngjarjes është Dorjan Mema, i cili është arrestuar nga uniformat blu dhe ndodhet ne rajonin e policisë së Dibrës.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të vjetër, por ende nuk dihen të tjera detaje.

Policia dhe grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISE

Bulqizë/ U konfliktuan për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit e plagosi me kaçavidë, kapet dhe arrestohet në kohë rekord autori i ngjarjes. 26-vjeçari si pasojë e plagëve humbi jetën në spital.

Në orët e vona të mbrëmjes, në Shupenzë shtetasi D.D., 30 vjeç, banues në fshatin Homesh, për motive të dobëta është konfliktuar me shetasin D.M., 26 vjeç, banues në Homesh. Gjatë konfliktit 30-vjeçari e ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë falë reagimit në kohë, lokalizuan, kapën dhe arrestuan autorin e ngjarjes shtetasin D.D. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/Albeu.com/


Shtuar 15.08.2023 07:21