Durrës, u kapën në port duke futur bizhuteri floriri dhe argjendi, nën hetim 2 shoferët e autobusit! Shpallet në kërkim pritësi i këtyre sendeve

Policia ka goditur një rast të transportit të paligjshëm të sendeve me vlerë në Portin e Durrësit.

Janë sekuestruar një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi të cilat dyshohet janë përfituar nga veprimtari kriminale, që po futeshin në vendin tonë prej një autobusi që vinte në Shqipëri prej tragetit Durrës-Ankona.

‘Sekuestrohen një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, 2 celuarë dhe 2 pasaporta.’, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vijim të kontrolleve ka nisur hetimi për dy shoferët e autobusit Ermal Nebiaj, 34 vjeç dhe Fation Ruko, 37 vjeç, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Gjithashtu policia ka identifikuar edhe pritësin e këtyre sendeve me vlerë, M.T., 59 vjeç i cili u shpall në kërkim.

‘Nga kontrollet në vijë të dytë, në autobusin që kishte drejtues të parë dhe të dytë, përkatësisht  shtetasit E. N., 34 vjeç dhe F. R., 37 vjeç, u gjet një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për të dy këta shtetas, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Në vijim, si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi M. T., 59 vjeç, i cili dyshohet se do të priste bizhuteritë në Shqipëri. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.’, njofton policia.


Shtuar 20.08.2024 12:29