Vizita e papritur e Dua Lipës në Shqipëri ishte padyshim surpriza e kësaj vere. Takimi i saj me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe Kryeministrin Edi Rama u komentua në media e rrjete sociale. Një pjesë e njerëzve e cilësoi pritjen e këngëtares në Tiranë si propagandë nga ana e drejtuesve të shtetit. Një ndër personat publikë që ka reaguar ashpër në lidhje me këtë temë është edhe Besa Kokëdhima. Përmes një statusi në InstaStory ajo kritikon shtetin shqiptar duke theksuar se artistët nuk vlerësohen në vendin tonë dhe se yjet e “rockstar-ët” e vetëm që spikasin janë politikanët.
“Dua Lipa është një yll! Por Dua u bë edhe në një shtet e treg prej vërteti. Nuk do kish as pritje me lëvdata, kortezira e tapete po të kish qenë në Shqipëri, pa të drejta autori, pa prioritarizim e mbështetje për artin, në kushtet mjerane që e kanë katandisur artin dhe artistët Shqiptarë. Po të kish qenë Dua në Shqipëri, muzikën e saj do e quanin jokomerciale, nga përdorimi i muzikës së saj do përfitonte o të ardhura, do bazohej jetesa e saj artistike mbi evente sporadike në clubs apo përdorimit nga politikanët në prag fushatash apo nevoja inagurimesh. Këta habiten shumë që kur ke talent mund të bëhesh yll, se në Shqipëri yjet e vetme nga kalon gjithçka janë politikanët. Rockstaret më ekstravagante e showmen-ët më të spikatur janë politikanët”, shkruan Besa në postim.