Dokumentari i RAI-3/ Berisha: Faktonte se Olsi Rama ishte eksponent kryesor i klanit të Hakmarrjes për Drejtësi të kokainës së Xibrakës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ka komentuar investigimin e RAI-3. Berisha duke folur nga ballkoni, theksoi se dokumentari faktonte se Olsi Rama ishte eksponent kryesor i klanit të Hakmarrjes për Drejtësi të kokainës së Xibrakës.

“Mbrëmë publiku italian ndoqi një nga dokumentarët më tronditës në historinë e televizioneve italiane. Ndoqi një dokumentar kushtuar mafies shtetërore shqiptare. Një dokumentar të faktuar se qeveria, kreu i saj janë një mafie kokaine, janë një mafie heroine, janë një mafie droge, e rrezikshme për Shqipërinë, e rrezikshme për Italinë, e rrezikshme për Europën.Të dashur miq, çdo orë që kalon, çdo ditë që kalon sjell dëshmi tronditëse se çfarë bëhet me fatin e shqiptarëve. Se si shkelmohet mbi qenien e tyre. Çdo ditë që kalon fakton kontrollin e plotë dhe total të asaj që iu serviret shqiptarëve si drejtësi e re, drejtësi e krimit, drejtësi e narkoshtetit, drejtësi e kleptokracisë. Çdo ditë që kalon është një apel për ne që të marrim fatin në dorë. Dokumentari faktonte se Olsi Rama ishte eksponent kryesor i klanit të Hakmarrjes për Drejtësi të kokainës së Xibrakës. Fakton ato që kemi denoncuar me qindra herë se Olsi Rama ishte personi kryesor me Genti Xhixhën, Ermal Hoxhën, Gentian Gjonajn që instaluan në Xibrakë fabrikën më të madhe të kokainës në Ballkan, në të cilën u gjetën mbi dy tonelata drogë. Tregon falsitetin e hetimit. Personi i panjohur Olsi Rama nuk u emërtua kurrë, ndonëse u fotografua, u filmua në të gjitha aktivitetet e klanit,” tha Berisha.


Shtuar 22.04.2024 21:01