Deklaratat e Gjukanoviç dhe Osmanit, Rama: Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse është e ardhmja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratave të Milo Gjukanoviçit dhe Vjosa Osmanit në lidhje me deklaratat e tyre për Ballkanin e Hapur.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, vizitoi sot Kosovën ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani. Në konferencën për media pas takimit, u fol edhe për nismën “Ballkani i Hapur” ku të dy liderët thanë se janë kundër kësaj nisme dhe se Procesi i Berlinit është iniciativa e vetme që i duhet Ballkanit Perëndimor.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Gjukanoviç

Rama reagoi sot nëpërmes një statusi në Twitter duke thënë se Ballkani i Hapur e përshpejton Procesin e Berlinit.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, ka shkruar ai.

Deklaratave të këtyre liderëve u parapriu një koment i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit, i cili tha se do t’i bashkoheshin kësaj nisme nëse do i bashkoheshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

Shtuar 18.05.2022 20:14