Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh ditën e sotme pasi drejtësia greke i përcolli ministrisë sonë të Drejtësisë vendimin ku faktohej se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar nga Gjykata e Janinës.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është shprehur se nuk ka shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.
Celibashi: Detyrimi i subjekteve është për të deklaruar shkaqet, kur ka shkaqe që e ndalojnë të marrë funksione publike. Jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklaruaes, tashmë kryetar i bashkisë së Kuçovës ka paraqitur formularin e deklarimit dhe disa të dhëna. Ai nuk ka paraqitur një të dhënë, pasi me një vlerësim të tij ka qenë e panevojshme ose e ka harruar kjo nuk ka rëndësi në arsyetimin tonë. Por kjo e dhënë tashmë nuk përbën, nuk e përfshin në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën ka marrë dënimin. Ngelet diskutimi i faktit që nuk e ka deklaruar.
Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.
Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme./Albeu.com