Policia e Tiranës ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Emiljano Ninës, mbrëmjen e djeshme, 12 tetor 2023.
Nina është kushëriri i Ervis Martinajt, të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare, i cili është zhdukur pa gjurmë prej gushtit të vitit 2022.
Emiljano Nina ishte shpallur në kërkim pasi në muajin gusht përplasi automjetin që drejtonte me shpejtësi së lartë, me bordurën anësore te Liqeni Artificial, dhe më pas u largua.
28-vjeçari rezulton i shpallur në kërkim edhe për dhunë në familje, pasi është dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Escape”, në rrugën “5 Maji”, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky shtetas, në muajin gusht të këtij viti, duke drejtuar një automjet tip “BMW”, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore te Liqeni Artificial. Pas aksidentit, ky shtetas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com