Përgjatë tre dekadave që nga rënia e komunizmit, qindramijëra shqiptarë kanë emigruar jashtë vendit. Shumë kanë punuar në të zezë, kanë sjellë para pas në Shqipëri, kanë investuar, kanë ndërtuar shtëpi, kanë bërë biznese, kanë blerë prona. Deri më sot nuk dihet që ndokush të jetë penguar të bëjë diçka të tillë. Dhe as nuk dihet nëse dikush ka hasur ndonjë telash me agjencitë ligjzbatuese për burimin e parave. Në fakt, shqetësimet kryesore të organizatave ndërkombëtare ka qenë mungesa e kontrolleve mbi origjinën e pasurisë së investuar në Shqipëri, pasuri që shpesh arrin në rendin e dhjetëramilionë eurove, dhe që dukshëm nuk është produkt i punës në të zezë të ndonjë kamarieri apo punëtori ndërtimi emigrant në ndonjë vend perëndimor.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama dhe mbështetësit e tij po përpiqen, në mënyrë aspak bindëse, të pretendojnë se një nismë e tyre, e shumëkritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për legalizimin e parave informale dhe për amnisti penale për poseduesit e këtyre parave, është në fakt një nismë në ndihmë të punëtorit hallexhi që ka punuar në të zezë.
Rama e prezantoi në këtë mënyrë çështjen e amnistisë në një pyetësor për publikun, i cili nuk dihet se si u plotësua e nga kush u plotësua, por që sipas Ramës, është plotësuar nga qindramijëra vetë të paidentifikuar. Pyetja shtrohet nëse duhet të lehtësohen emigrantët apo jo dhe përgjigjja e popullit është që po, duhet të lehtësohen. [Link]
Më tutje, të enjten, Taulant Balla akuzoi kritikët e amnistisë se janë kundër emigrantëve, se duan që atyre t’u nxihet jeta e madje të ndiqen penalisht në rastet kur sjellin kursimet e tyre në Shqipëri.
“Thojeni këtu, jeni kundër? Je kundër që shqiptarët të sjellin paratë nga emigracioni që mos ua nxijë më jetën me histori idiote ku dhe Policia e Shtetit ndalon një shqiptar që vjen në shpinë e vet brenda asaj shumës së vendosur me ligj e që ligji parashikon që hapi i fundit është të shkosh në ndjekje penale në fakt, se e kemi kaluar këtu ligjin për pastrimin e parave,” deklaroi Balla.
As Balla dhe as Rama nuk kanë dhënë ndonjë shembull se kur ndonjë emigrant shqiptar është ndjekur penalisht duke sjellë paratë e tij të kursimeve në Shqipëri.
Aktualisht është detyrim ligjor për çdo qytetar që të deklarojë se disponon me vete shuma mbi 10 mijë dollarë kur kalon kufirin në hyrje apo në dalje të Republikës së Shqipërisë (dhe të gjitha vendeve të tjera normale). Bankat kanë gjithashtu detyrën që të raportojnë rastet kur qytetarët paraqiten në sportel dhe dëshirojnë të depozitojnë shuma të mëdha. Askush nuk ndalon askënd që të sjellë në Shqipëri 1 mijë apo 2 mijë euro herë pas here, dhe as të sjellë në Shqipëri 10 mijë apo 20 mijë euro gradualisht përgjatë viteve.
As Rama dhe as Balla nuk kanë dhënë shpjegime se çfarë shumash ata presin që emigrantët të kenë fituar duke u punësuar në të zezë dhe që duhet të legalizohen përmes ligjit të tyre. Ata nuk i janë referuar as ndonjë studimi që të sugjerojë se emigrantët e kanë me të vërtetë një problem të tillë. Por ama është vetë relacioni i projektligjit të vitit 2020 i cili shpjegon arsyet e vërteta të nismës së Ramës për amnisti fiskale. Relacioni i publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë [link], nuk përmend asnjëherë fjalën “emigrant”. Përkundrazi, arsyet e dhëna në të lidhen vetëm me kompanitë dhe bilancet e kompanive.
“Sqarojmë se ndërmarrja e një iniciative të tillë ka qenë kërkesë e hershme e sipërmarrjeve dhe e organizatave përfaqësuese të biznesit,” shkruhet në relacion.
Dhe më tutje: “Projektligji synon garantimin e procedurave transparente për të mundësuar ligjësimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara, tërësisht apo pjesërisht, si dhe për rivlerësimin e pasqyrave financiare të subjekteve.”
Me pak fjalë, projektligji është kërkesë e organizatave përfaqësuese të biznesit dhe synon, mes të tjerash, rivlerësim të pasqyrave financiare.
Edhe qëllimi i projektligjit, arsyeja se pse qeveria e sheh si të logjikshme ta hedhë këtë hap, nuk lidhet aq shumë me lehtësimin e jetës së emigrantëve se sa me dëshirën për të pasur më shumë para të pista në sistem.
Relacioni thotë se nisma e qeverisë synon të ndihmojë për të kapërcyer pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së koronavisurit të ri.
“…është e nevojshme që, për të tejkaluar këtë situatë dhe për të mbështetur sipërmarrjet në këto kushte të vështira, krahas stimujve fiskalë që janë miratuar dhe do të miratohen në të ardhmen, të krijohen mundësi edhe për legalizimin e kapitaleve dhe pasurive, të cilat, për shkaqe të ndryshme nuk janë deklaruar apo ligjëruar,” thuhet në relacion.
Qeveria u detyrua nga presioni ndërkombëtar të tërhiqet nga miratimi i këtij projektligji, i cili aktualisht ka statusin “Kthyer nismëtarit”, pasi ekspertët ngritën shqetësimin se paratë e krijuara nga aktivitetet kriminale, përfshirë drogën, pastrimin e parave dhe korrupsionin, do të mund të legalizoheshin në këtë mënyrë ndërsa vepra penale e pastrimit të parave do të amnistohej bashkë me legalizimin e parave.
Projektligji parashikon në mënyrë jo shumë bindëse se politikanët dhe familjarët e tyre të afërt nuk do të mund të përfitojnë, por në kushtet e “familjarëve të afërt” kanë vendosur kriterin e gjendjes civile “në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” “Gjendja familjare” është familja e regjistruar në zyrat e gjendjes civile dhe ajo ndryshon me kërkesën e të interesuarit në çdo kohë. Vëllai apo motra, p.sh., mund të shkëputet nga trungu familjar i politikanit para hyrjes në fuqi të ligjit të amnistisë dhe të legalizojë sa të dojë paratë e korrupsionit, ndërsa vepra penale e pastrimit të produkteve të veprës penale, të cilën ku person po e kryen duke legalizuar paratë e zyrtarit të korruptuar, amnistohet gjithashtu.
Larg të qenit një nismë në ndihmë të emigrantëve, amnistia fiskale e Ramës ka shumë gjasa që të jetë një legalizim i krimit dhe i korrupsionit të sotëm të Shqipërisë. /BIRN/