Nga Genti Kruja
Kam vite që hulumtoj mbi fotot e xhamive nëpër arkiva të ndryshme, por deri tani nuk kam hasur në foto xhamish, duke u shkatërruar gjatë vitit famkeq 1967.
Duke patur parasysh se në Shkodër u shkatërruan 35 xhami vetëm në qytet, më ka ba përshtypje gjithmonë se si në qytetin ku lindi fotografia, nuk është shkrepur asnji foto, sidomos ato në qendër. Ndoshta frika, ndoshta se ishte e ndaluar…
Megjithatë më ranë në dorë këto foto nga faqja Albanian Digital Archives and Collections, ku ndër të tjera janë dhe këto foto të rralla nga Eric Bachman, nji fotograf zvicerian, i cili ka qenë edhe në Shqipëri dhe në Shkodër, ku ka ba nji set fotosh më 22 gusht të vitit 1967.
Të bie në sy xhamia e Parrucës me minare të rrëzume dhe piktura në Pjacë te ish-Posta, ku “revolucioni” ka thy minaren e xhamisë dhe kambanaren e kishës.
Xhamia e Parrucës e ndërtuar e re në vitet 40 të shek. të kaluar në vend të së vjetrës, ishte xhamia e parë me dy minare në Shqipëri.