Me një poezi të shkruar për të, Klit Roshi e kujtoi të atin nga skena e ArtTurbinës në një mbrëmje me poezi dhe këngë nga veriu e jugu. 100 vjetori i mjeshtrit të skenës dhe kinemasë, Nderit të Kombit, Kadri Roshi erdhi përmes imazheve dhe rrëfimeve që la- sa ishte gjallë-nga fëmijëria e varfër, puna si biletashitës kinemaje, arrestimi gjatë luftës, dalja para togës së pushkatimit dhe falja e jetës prej një rastësie fatlume e lirimi nga burgu ditën e masakrës së 4 shkurtit 1944.
Hapat e parë në art, si sufler në teatër e më pas rolet një e nga një erdhën përmes zërit kumbues të aktorit Kadri Roshi që krijoi personazhe të paharrueshme në një Shqipëri të mbyllur bardhezi e brenda kuadrit.
Nga fëmijëria e varfër te madhështia në skenë dhe ekran, jeta e Kadri Roshit u soll e plotë në një sallë teatri të tejmbushur ku publiku qëndroi në këmbë ndërsa artistë të njohur e politikanë nderuan kujtimin e veprën e tij.
Vepra artistike e Kadri Roshit, konsiderohet si monument kulture nëpërmjet një dokumentari realizuar për të si dhe Promovimi i librit “Në jetët e të tjerëve” ku personalitete të artit, medias dhe politikës shqiptare kanë ndarë në këtë botim kujtimet e tyre personale me Kadri Roshin.