Pas skandalit të ndodhur në familjen Mbretërore, është zbardhur vendimi nga Gjykata për Princ Lekën dhe ish-bashkëshorten e tij, Elia Zaharia.
Pasi ka pranuar padinë e Elias, gjykata ka urdhëruar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të:
Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune në familje ndaj paditëses Elia Zogu.
Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos i afrohet paditëses Elia Zogu, përtej një distance prej 5 metrash.
Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton paditësja Elia Zogu, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, me përjashtim të rasteve kur ka oraret e takimit me fëmijën e mitur, Geraldina Zogu.
I padituri Leka II Zogu ka të drejtë të takojë dhe të qëndrojë me fëmijën e mitur nga dita e hënë deri të premten, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe ditën e shtunë dhe të diel nga ora 11:00 deri në orën 13:00, marrja dhe dorëzimi i fëmijës do të realizohet në prezencën e dados.
Gjykata ka pranuar padinë edhe nga Princ Leka dhe ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të:
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune ndaj paditësit Leka II Zogu.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos cenojë, kërcënojë paditësin Leka II Zogu.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos i afrohet paditësit, banesës ku jeton paditësi Leka II Zogu, vendit të tij të punës apo vendeve të tjera që frekuenton, përtej një distance 5 metër.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, gjatë orareve të takimit të paditësit Leka II Zogu me fëmijën e mitur Geraldina Zogu.
E paditura Elia Zogu deri në marrjen e vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, do të qëndrojë në banesën ku jeton aktualisht, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë.
Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje i fillon efekte që nga data 7 mars 2024.
Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhri do të jetë në 21 mars, ora 114:00.
Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga Zyra e Përmbarimit.
Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale, sipas nenit 320 dhe 321 të Kodit Penal.