VIDEO/ “Zjerm” përfaqëson Shqipërinë në Eurovision

“Shkodra Elektronike” fitoi edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës me këngën e tyre “Zjerm”, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.

Performanca e “Shkodra Elektronike” mori në total 143 pikë, teksa votimi përfundimtar ishte i ndarë në 50% nga juria dhe 50% nga publiku.

Elvana Gjata arriti të merrte çmimin e dytë me këngën “Karnaval”, duke grumbulluar 135 pikë, ndërsa Alis fitoi çmimin e tretë me këngën “Mjegull”, me 59 pikë.

Të parat që u numëruan ishin votat e Jurisë, ku shumicën e votave për vendin e parë e rrëmbeu “Shkodra Elektronike”, vendin e dytë Elvana Gjata dhe vendin e tretë Alis.

Renditja u përmbys nga vota e diasporës, e cila votoi për herë të parë në këtë festival, duke i dhënë shumicën e votave Elvana Gjatës dhe në vendin e dytë u rendit “Shkodra Elektronike”. Këngëtari Alis ruajti sërish vendin e tretë.

Por me numërimin e SMS ku votuan Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, “Shkodra Elektronike” arriti të rrëmbente përfundimisht çmimin e madh për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2025.

Në momentin e shpalljes së fituesve, emocionet dhe lotët e gëzimit ishin të pranishëm, ndërsa “Shkodra Elektronike” falënderoi publikun dhe jurinë për mbështetjen e madhe.

Ky edicion i Festivalit të Këngës ka qenë i mbushur me emocione dhe konkurrencë të fortë, dhe “Zjerm” do të përfaqësojnë Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të Eurovision 2025.


Shtuar 23.12.2024 00:46