Verifikim faktesh: Pretendimi i Trump për pagesën rreth 10 milionë euro ndaj Beyonce është i pavërtetë

Ish-presidenti, Donald Trump, ka bërë thirrje për ndjekjen penale të Beyonce-së, duke pretenduar se ajo ka marrë 11 milionë dollarë (afërsisht 10.1 milionë euro) për të mbështetur Kamala Harris gjatë një aktiviteti në tetor 2024 në Hjuston. Por ky pretendim është i pabazuar dhe i pavërtetuar nga asnjë burim zyrtar.

Sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, fushata e Harris ka kryer një pagesë prej 165,000 dollarësh (përafërsisht 150,000 euro) për kompaninë e prodhimit të Beyonce-së për shpenzime teknike të ngjarjes, jo për mbështetje politike.

Ligji kërkon që këto kosto të mbulohen nga fushatat, por pagesa për përkrahjen e një personi të famshëm nuk është e ndaluar nga ndonjë ligj federal, shkruan CNN.

Asnjë provë nuk është paraqitur ndonjëherë për pretendimin e një pagese prej 11 milionë dollarësh, i cili filloi të qarkullojë fillimisht si “10 milionë” në rrjetet sociale.

Faktkontrollues si PolitiFact dhe FactCheck.org e kanë hedhur poshtë këtë thashethem si të pavërtetë.

Në nëntor 2024, nëna e Beyonce-së, Tina Knowles, e cilësoi pretendimin si “gënjeshtër të plotë”, ndërsa një përfaqësues i këngëtares e quajti atë “tej mase qesharak”.

Shtëpia e Bardhë dhe fushata e Harris nuk kanë komentuar direkt mbi postimin e fundit të Trump, por e kanë mohuar më parë çdo pagesë të tillë.

Ky është një tjetër shembull i Trump-it që kërkon ndjekje penale ndaj kundërshtarëve politikë bazuar në pretendime të pabazuara.


Shtuar 28.07.2025 16:37

Tags: ,