Nuk mund ta themi ende me siguri, por ka shkëndija që konflikti mes Dua Lipës dhe Rita Orës të jetë duke u shuar. Të paktën kështu mund të interpretohet një video e postuar nga vetë Rita së fundmi në Instagram. Trajneri personal i Ritës ka publikuar një video në Instastory ku Rita shihet duke u ushtruar në palestër. Mirëpo, vëmendjen e të gjithve e ka marrë fakti që në sfond dëgjohet kënga e Dua Lipës, “One kiss”. Për më tepër, video është ripostuar edhe nga Rita dhe nuk besojmë që ajo mos ta ketë vënë ré diçka të tillë.
Thuhet se Dua dhe Rita nuk gëzojnë marrëdhënie të mira dhe kjo është parë nga fakti se ndonëse vijnë nga i njëjti vend dhe kanë korrur mjaft sukses nuk e suportojnë njëra-tjetrën dhe s’i kemi parë kurrë bashkë. Sipas asaj që raportohet, shkak është bërë mungesa e mbështetjes nga Rita për Duan kur kjo e fundit ishte në fillim të karrierës dhe tashmë që ka kapur majat Dua nuk ia fal këtë gjë.
Rreth konfliktit të tyre foli para disa muajsh edhe Bebe Rexha, e cila ka shprehur prej vitesh dëshirën për një bashkëpunim mes saj, Duas, Ritës dhe Ava Max. Mirëpo, tha se planet janë shkatërruar për shkak të dy artisteve të tjera. “Kam tentuar vërtetë. Nuk e di realisht se çfarë po ndodh mes tyre apo çfarë historie ka. Për mua, do të doja shumë që të bënim diçka bashkë, por nuk jam e sigurt se do të ndodhë ndonjëherë. Është e trishtueshme që ka një konkurrencë të pashprehur. Do të doja shumë që të ndodhte, sepse unë i njoh të gjitha këto vajza personalisht dhe janë të gjitha të mrekullueshme”, u shpreh Bebe për “The Sun” asokohe.
A ka ardhur momenti që ato të lënë pas çdo mosmarrëveshje? Urojmë që PO.