Lajme të trishta vijnë nga vendi ku ra tërmeti katastrofik.
Tragjedia ka prekur dhe kinematografinë turke pasi aktori i njohur, Cagdas Cankaya, dhe gruaja e tij, Zilan Tigris, kanë humbur jetën në tërmetin shkatërrues që ka goditur së fundmi Turqinë dhe Sirinë.
Cankaya, i njohur për rolin e tij në serialin e njohur gjerësisht Kurulus Osman, u konfirmua se ishte varrosur nën rrënojat nga tërmeti shkatërrues, sipas llogarisë zyrtare të emisionit në Instagram.
Ekipi i serialit shprehu dhimbjen për humbjen e Cankaya dhe bashkëshortes së tij, duke u shprehur ngushëllime familjeve të tyre dhe të gjithë të prekurve nga tragjedia.
Dy tërmete shkatërruese goditën të hënën pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Tërmeti kryesor u pasua nga dhjetëra pasgoditje. Sipas informacioneve të fundit, më shumë se 36,000 njerëz kanë vdekur dhe shifra pritet të vazhdojë të rritet. Fillimisht jugu i Turqisë u godit nga një tërmet me magnitudë 7.8 gradë të shkallës Rihter dhe u ndje në disa vende të rajonit dhe përveç njerëzve në Turqi, viktimat më të shumta ishin në Sirinë fqinje.