“Sikur vdiq një i afërm”, Neritan Liçaj tregon ndjesitë pas shembjes së Teatrit

Nga Marina Kërçeli

Aktori i mirënjohur Neritan Liçaj, është padyshim një emër i vlerësuar i teatrit dhe kinemasë shqiptare. Me një karrierë të suksesshme ndër vite, aktori ka jo pak për të treguar për jetën e tij profesionale, por edhe se çfarë ka ndodh me të gjatë periudhës së pandemisë, periudha e mbylljes së teatrove. Teatri dhe kinemaja i kanë falur jo pak momente të bukura, por dhe të vështira, dhe sot ai është një ndër të paktët aktorë që vlerësimin nuk e ka vetëm brenda kufijve shqiptarë. Sa herë që ngjitet në skenë ai korr sukses, sa herë që interpreton në filma nderohet. Në intervistën e dhënë për portalin Albeu, aktori ndërsa tregon jetën e tij artistike të pasur me role tregon dhe për një punë të madhe gjatë gjithë karrierës së tij. Por mbi të gjitha tregon se çfarë ka ndodhur me jetën e tij profesionale, me prishjen e teatrit, mbyllja e dyerëve të teatrove gjatë periudhës së pandemisë, ai i zbulon në këtë intervistë.

 Jeni një emër tepër i vlerësuar dhe i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare. Si ndiheni sot kur dëgjoni kaq shumë vlerësime mbi karrierën tuaj si aktor, nga publiku dhe nga kolegët?

Sigurisht që ndihem jashtë zakonisht mirë, kur shikoj që gjithë performanca ime profesionale si aktor është e vlerësuar nga publiku i gjerë edhe nga kolegët pa diskutim, sikurëse dhe nga mendimi kritik, janë gjëra të cilat tregojnë vlerësimin për modesisht performancën time si aktor. Në fund fare profesor Piro i madh, thoshte diçka shumë të bukur dhe të vërtet se teatri vetëm pa spektator nuk bëhet. Dhomethënë dhe kjo është për të thënë se sa mirë është se kur njerëzit vlerësojnë punën e një aktori, është pa diskutim një vlerësim shumë i mirëpritur dhe jam krenar për të gjithë ata njerëz që duan, vlerësojnë punën time.

 Rolet që keni interpretuar ju dhe kolegët tuaj edhe sot kanë mbetur në publik. Sipas jush pse vijojnë të jenë të tillë?

Vlerësimi më i madh është kjo që ju më bëni, mua dhe kolëgëvë të mi në pyetjen tuaj. Pse? Sepse gjithmonë mbetet në memorjen e kujdo shijuesi ose frekuentuesi të artit një gjë më vlerë dhe me cilësi dhe për çdo produkt artistik, të çfarëdo zhanëri, jo vetëm të teatrit ose të aktrimit, por çfarëdo zhanëri artistik jetëgjatësia është treguesi më i mirë i një pune cilësore, pra diçka e mirë lë gjithmonë mbresë dhe ajo është vështirë të harohet, përkundrazi sa më tepër kalon koha aq më tepër vlerësohet. Të falenderoj shumë për konsideratën, pyetja është një konsideratë shumë e bukur dhe shumë e mirëpritur njëkohësisht!

Çfarë është për ju teatri, dhe çfarë vendi zë tek ju si aktor?

Dhe kjo një pyetje jashtëzakonisht e bukur. Çfarë është për ju teatri?  Teatri për mua është jeta, dhe jeta është gjithçka. Duket si një përgjigje utopike, por jo është e vërtetë. Në momentin që e dashuron shumë një profesion dhe e bën atë me gjithë pasionin e zemrës, kthehet në motiv shumë të fortë e jetës profesionale. Dhe sa e dua unë teatrin, vazhdim i përgjigjes së pyetjes është që pas familjes time që është dashuria më e madhe dhe pa diskutim impenjimi i parë njerëzor, teatri pa diskutim që vjen i dyti dhe aktrimi. Të bësh art, të bësh sidomos teatër i cili është një ndër artet më të vjetra në historinë e njerëzimit, të bësh teatër do të thotë nevoja e brendëshme e njeriut.

Çfarë ju ka lidhur me aktrimin, dhe si e kujtoni interpretimin tuaj të parë në skenë?

Është shumë komplekse për ta thënë çfarë më ka lidhur, pasi janë një amalgam gjërash. Por po përpiqem të tregoj vetëm diçka, nëqoftë se unë do të përkufizoja aktorin me një fjalë të thjesht dhe të kuptueshme, aktori është një lloj mënyre si “mitra“, e prodhimit të qenies njerëzore. Kjo për arsye sepse aktori merr një personazh të vdekur, në kuptimin metaforik, pra të zezë mbi të bardhë të shtrirë në letër dhe fillon i jep atij jetë, i jep frymëmarrje, rëndësi i jep mënyrë të foluri, të ecuri, i jep inde, i jep gjak, psikologji, mentalitet etj. Ajo çka më lidh me aktrimin është pikërisht kjo, dëshira për të krijuar jetë të cilat vendosen në lëvizje.

Kur shikoni filmat që ju keni interpretuar, ndodh që jeni kritik ndaj vetes suaj për rolet?

Gjithmonë je kritik, edhe kur flas me kolegët, edhe me paraardhësit e mi aktorë gjigand me një përvojë, kur është shtruar kjo pyetje të gjithë krijuesit, të gjithë aktorët por edhe regjizorët, skenografët të gjithë ata që kanë të bëjnë me teatrin dhe filmin gjithmonë e shikojnë punën që kanë bërë, sidomos edhe mbasi kalon një periudhë relativisht e gjatë kohe e shikojnë me sy kritik, sepse gjithmonë ka gjëra për t’u ppërmirësuar. Këtë të bukur ka aktrimi sidomos, sepse personazhi lind dhe vdes brenda një nate dhe të nesërmen, në natën tjetër rishfaqet, ringjallet prap dhe rivdes, dhe gjithmonë lë një pjesë nga vetja. Kështu që ka diçka për t’u përmirësuar, gjithmonë ka diçka për t’u korrigjuar.

Por si spekator kur ka qenë hera e fundit për të parë një shfaqje?

I shoh të gjitha shfaqjet padiskutim, me përjashtim të pak shfaqjeve që nuk kam mundur t’i shikoj sepse kam qenë vetë në skenë kur ato jepeshin dhe më kanë ngelur peng. Dhe shafqja shikohet në teatër, mund ta shikosh dhe të rregjistruar dhe në televizion, por nuk ka atë shije, atë art dhe bukuri që ka kur e sheh në skenë sepse teatri është live. Kam parë shafqjet e fundit përpara se teatrot të mbylleshin prej pandemisë.Kanë qenë shfaqjet e fundit që kemi bërë në skenë, pastaj  që prej marsit i vitit të kaluar, teatrot u mbyllën dhe me thënë të drejtën më ka marrë shumë malli që të shoh një shaqje në skenë, sepse teatri e ka bukurinë në skenë. Por e them dhe e rithem, i shikoj gjithmonë të gjitha shfaqjet e kolegëve, të gjitha ato që mundem sepse të shikosh punët e kolegëve të japin një tjetër kënaqësi.

Për afro 26 vite jetë artistike, aktor në shumë filma të suksesshëm dhe në vepra teatrore, ka ndonjë peng në jetën tuaj artistike?

Gjithmonë ka pengje! Në kuptimin e asaj çka do doje të bëje, sepse gama, sidomos e dramaturgjisë botërore, duke filluar që prej antikitetit e deri tek modernet, autorët modern, ekzistencjalizi postmodern etj, ka aq mbrekullira dhe aq personazhe që janë sfida profesionale të jashtëzakonshme saqë gjithmonë do të ngelet peng, sepse jo gjithmonë të gjithë mund t’i luash për arsye nga më të ndryshmet. Kështu që në do të donit të vërtetën, pengje ka gjithmonë. Pavarësisht nga ato që ke bërë, sepse karriera t’i ka ofruar, rregjizorë etj, por gjithmonë ngelen pengje. Për shembull mua peng, më ka mbetur pa luajtur, pasi tani ka kaluar dhe mosha, ka qenë “Hamleti“, një nga sfidat më të mëdhaja aktoriale për çdo aktor, në çdo cep.

Çfarë ndryshimi duhet të ndodh në teatër?

Ka shumë gjëra që duhet të ndryshojnë në teatër. I bie të flas shumë gjatë, por po them pak gjëra, neve ende, ndaj unë kam mbi 20 vite që kërkoj edhe bërjen e një ligji të mirë për artet, jo vetëm për teatrin por për të gjithë artet në përgjithësi dhe për teatrin është pikërisht të të ndryshuarit të shumë gjëra në botën teatrore shqiptare. Sepse ne kemi potenciale vërtet shumë të mëdhaja, ne shqiptarët jemi njerëz me temperament të fortë dhe gjithmonë do kemi aktorë të , regjizorë të mirë etj. Por faktikisht, mos krijimi i këtyre hapësirave në radhë të parë, nëpërmjet bërjes së  një ligji të mirë, sepse ka kaq vite që ligji  komplet i pa praktikueshëm, ngaqë është shkel e shko mund ta themi sot, në radhë të parë do të ndryshonte mëndësinë e të bërit teatër.

Ti interpreton role komike dhe dramatike. Mund ta shpjegosh dhe për publikun e gjerë se cili është përjetimi i këtij  kalimi?

Në shkollë petagogët tanë të mbrekullueshëm, ku dhe unë kam pasur fatin të kem profesorë jashtë zakonish të mirë, duke filluar nga i madhi Piro Mali, nga e pa harrueshmja dhe gjigandja Drita Pelingu, e shumë e shumë të tjerë, na mësonin se është shumë e vështirë të interpretosh komedi sesa dramë, në kuptimin që është shumë vështirë të bësh komedi të mirë, të besueshme që nëpërmjet hallit të vijë humori, është komedi abuzive. Këtu qëndron pikërisht diferenca mes dramatikes ose magjikes dhe komikes. Të gjithë autorët e mëdhenj, flas vërtet për ata të mëdhenj vërtet, penat e mëdha të dramaturgjisë botërore, duke filluar që nga antikiteti e më vonë, Monlier, Karlo Gongo, Shekspir,kanë një forc që përcillet ndjeshëm tek publiku.

 Le të ngelemi tek përjetimet, tashmë u bë një vit nga shembja e teatrit, mund të ndani me ne ato çaste teksa shihnit shembjen e teatrit, vendit prej ku keni kaluar dhe pjesën më të madhe artistike?

Po tashmë është një vit, nga shembja e teatrit edhe përjetimet janë të … Shiko, unë nuk po them se çfarë kam përjetuar unë, sepse e kam shumë të vështirë ta shpjegoj me fjalë. E kam vërtet shumë të vështirë, nuk arrij dot por po ju them një gjë që më kanë thënë njerëzit kudo në Shqipëri që unë kam shkuar gjatë këtij viti. Kam takuar dhe kemi folur edhe për prishjen e teatrit, ku mbi 80% e atyre njerëzve në çdo cep të Shqipërisë, më kanë thënë ku është prishur teatri jemi ndjer kur na ka vdekur një njeri i afërt. Imagjino për njerëzit që kanë qenë më pak në distanc se unë, teatër dashësh, por pak më distanc se unë që kam jetuar atje, më shumë se 20 vite me punë, gati shtëpia ime e dytë. Kur ata e përjetojnë kështu, dhe vazhdojnë, vërtet e kanë përjetuar sepse unë i dalloj njerëzit, kur e thonë sinqerisht, sepse unë jam aktor.

 Jeta juaj artisitike u përball me dy goditje të forta, e para mbyllja e teatrit nga pandemia Covid-19 dhe së dyti shembja e teatrit, si ka ndikuar kjo gjë tek ju?

Të dyja këto, kanë ndikuar vërtet shumë keq, në kuptimin e “vrasjes brenda vetes“, e një pjesë të Neritanit. Unë e kam thënë edhe kur u prish teatri, sepse ato ndodhën  njëra pas tjetrës, pandemia, mbyllja e teatrove dhe shëmbja e teatrit pikërisht ditën e parafundit të lockdown të madh, ishin ngjarje të një pas njëshme dhe unë e kam thënë dhe tek një fjalim që mbajta atë ditë. Është një pjesë e imja, një pjesë e shpirtit tim ka mbetur aty brenda së bashku me shpirtrat e gjithë atyre gjigandëve që kanë punuar në atë skenë, besoj se kjo shpjegon gjithçka. Është një humbje tragjike, jo vetëm për Neritanin por për gjithë Shqipërinë dhe artdashësit, kulturën.

Po ju vetë si jeni gjendur përballë pandemisë Covid-19, dhe nëse mund të ndanit me ne eksperiencën tuaj?

Për fat të mirë, unë dhe familjarët e mi, me emergjencën e famshme Covid, e cila është një problem i jashtëzakonshëm, në mbarë botën e për fat të mirë jemi gjendur shumë mirë, asnjë nga ne, familjarë të afërm nuk është prekur, dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Për fat të mirë, pasi Covidi mesa duket qenka njëçik me të marrë nishan. Jemi ruajtur, jemi kujdesur. Kujdesi nuk është kurrë i tepërt, përkundrazi na ka shpërblyer në një farë mënyre  deri tani kemi qenë shumë mirë falë zotit.

A mendoni se mbyllja e dyerve të teatrove, kinemave duhet të qëndronte kaq gjatë, dhe nëse jo cila mendoni se ka qenë arsyeja, që ka çuar drejt një zgjidhje të tillë?

Këtu është një komedi shumë e madhe , nga kjo qeveri që po tregohet jashtëzakonisht shumë armiqësore ndaj arteve, sepse të gjitha vëndet në kufi me ne dhe të gjitha vendet e rajonit, të paktën në Ballkan, dhe Europës i kanë hapur teatrot, edhe kinematë sigurish brenda rregullave të mbrojtjes. Pra, me numër të reduktuar, publiku me masa mbrojtëse, por i kanë hapur. Ne jemi i vetmi vend që nuk janë hapur teatrot dhe nuk dimë asgjë se pse qeveria nuk bën të qartë as gjë, as Ministria e Kulturës, përveç fatit ironik që kinematë janë hapur, pra bizneset janë hapur kurse teatri nuk është hapur që në thelb është e njëjta gjë. Pra, kjo tregon edhe njëherë se çfarë përafërie armiqësore që kjo qeveri ka ndaj artit dhe kulturës së vendit të vet.

Në këtë fushatë zgjedhore nuk është folur fare për artin e kulturën. Cila është gjendja e teatrit sot në Shqipëri? A ka prurje të reja? Kush mund të jenë rrugëzgjidhjet ndaj problematikave në këtë fushë?

Jo vetëm në këtë fushatë, por në të gjitha fushatat edhe më të përparëshme për artin dhe kulturën është folur jashtëzakonisht pak. Në përgjithësi politika është shumë “indiferente“, për mendimin tim “armiqësore“, ndaj artit dhe kulturës. Sepse tek arti dhe kultura të gjitha qeveritë, të gjitha grupimet politike majtas dhe djathtas, shohin oponentët e fortë, shohin opozitën qytetare dhe artistike, dhe pikërisht për këtë arsye e lënë gjithmonë të fundit. Nuk i kushtojnë rëndësi, vëmendje, nuk i kushtojnë buxhet, platforma. Asnjë qeveri nga post komunizmi, nuk ka bërë asnjë platformë afatmesme, afatgjatë për artin, pasi arti nuk është një investim që përditësor por është një investim që kërkon lartpamësi.

 Diçka të fundit në formë mesazhi, që do të doje ta ndaje me publikun?

Publikun e mbrekullueshëm shqiptar, unë do doja t’i thoja faleminderit për gjithë mbështetjen që na keni dhuruar në këto vite të gjata të një beteje të pabarabartë mes pushtetit dhe artit. Jeni të mbrekullueshëm, më vjen mirë që në Shqipëri ka njerëz që e duan artin, e duan kulturën. Na ndiqni, sepse ne nuk do t’ju zhgënjejmë asnjëherë, pavarësisht se si rodhën ngjarjet. Pa ju, pa publikun, pa njerëzit që e duan artin, teatri, jo vetëm teatri, të gjitha zhanerat e artit nuk do ekzistonin. Respekt i jashtëzakonshëm për të gjithë ju. Unë personalisht, por besoj flas edhe në emër të gjithë kolegëve të mi, dhe të kolegeve, ju duam shumë dhe ju vlerësojmë shumë.


Shtuar 5.06.2021 15:30