Sa vjeç bën sot? Aktorja e shquar Roza Anagnosti feston ditëlindjen, urimi emocionues nga e bija

Aktorja e shquar shkodrane e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare, Roza Anagnosti feston sot ditëlindjen e saj të 80-të.

Roza Anagnosti lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër. Ajo është një aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti.

Vajza e aktores së madhe Roza Anagnosti, Juna, ka bërë një dedikim prekës për 80-vjetorin e lindjes së mamasë së saj.

Postimi i vajzës së Roza Anagnostit

Familja jonë sot feston ditëlindjen e bashkëshortes, mamit, nonës Roza! Dhe nëse të gjithë njerëzit urojnë sot artisten e shquar unë dua të uroj njeriun e mrekullueshëm që je.

Dua të përshkoj me imagjinatë 80 vjetët e rrugëtimit tënd të jetës ku jo vetëm talenti, po dhe këmbëngulja, vullneti, ndershmëria, sensibiliteti, dhembshuria dhe sakrifica e madhe të bënë të jesh artistja dhe njeriu i çmuar për ne.

Shumë pak njerëz i njohin sakrificat e tua të mëdha brenda e jashtë skenës dhe ekranit, dorë për dore me dashurinë tënde, shokun e jetës Dhimitër.

Ti ke gëlltitur shumë lot: kur shkoje te prindërit e tu të varfër e të persekutuar, kur detyroheshe të merrje borxh për të arritur në fund të 15-ditëshit, kur me sebepin e biografisë kishte kolegë që të sabotonin, kur e mbushje gjithmonë më pak pjatën tënde.

Ti ke qenë bijë, motër, mbesë, bashkëshorte, nuse, kunatë, nënë, teze, hallë, vjehërr, gjyshe e sakrificës. Je kujdesur pa rezerva për të gjithë me mish e me shpirt. E ke ndarë kafshatën e familjes tënde pa hezitim me kë ka pasur nevojë. Shtëpia jonë në Tiranë, që unë e quaja “Hotel Anagnosti”, i kishte gjithmonë dyert e hapura, në çdo kohë, për njerëzit e fisit që vinin nga Vlora, Shkodra e Korça. Tani edhe nga Italia e Amerika.

Edhe gurët e Jalit e njohin përkushtimin tënd.

Ti vetëm vrapoje. Takat e tua trokisnin nga Teatri ne shtëpi, nga shtëpia në Kinostudjo, nga shtëpia nëpër spitale, kaq e kaq herë.

Ti dhe tani, kur je vetëm, vrapon, veçse pa taka.

Ka shumë për të thënë për ty mami im dhe ky post nuk mjafton.

Ti ke Nënë Terezën në shpirt dhe me vargjet e saj përpiqesh të lehtësosh dhimbjen dhe sakrificat e tanishme që Zoti të rezervoi.

Do të të jemi debitorë për jetë mami e shtrenjtë.

Dhe sot familja jote e vogël të uron: GËZUAR DITËLINDJEN!

Ti ke shumë akoma për të thënë e për të dhënë dhe ne si publik i privilegjuar do jemi gjithmonë në radhë të parë

Të duam përjetësisht:

bashkëshorti i shtrenjtë Dhimitër,

vajzat Juna dhe Era

dhëndurët Tonin e Ali

mbesa Marigò

nipat Jon, Anteo e Stefan