Sa vjeç bën? Aktori i mirënjohur shqiptar, Ndriçim Xhepa feston sot ditëlindjen (FOTO LAJM)

Mjeshtri i kinematografisë shqiptare, aktori i madh Ndriçim Xhepa feston sot ditëlindjen. Ai mbush 66 vjeç. Ndriçim Xhepa ka lindur më 21 janar të 1957-ës, në Tiranë. Ai është djali i “Artistes së Popullit” dhe aktores së madhe, Margarita Xhepa. Pas mbarimit të studimeve për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, më 1979, Ndriçim Xhepa filloi punë në Teatrin Kombëtar.

Në vitet e para të karrierës ishte në kërkim të individualitetit të vet artistik. Nga fillimi i viteve ’80, sidomos në vitet ’90 e me tej, ai u bë një nga aktoret më të spikatur të planit dramatik e psikologjik. Në teatër ka interpretuar rreth 35 role, nga të cilat veçohen: Arseni te drama “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahes, Prometeu te drama “Prometeu” e Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën pasionale të Romeos te tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit, të cilën e paraqiti brenda toneve lënduese, të dhimbshme, por edhe të zymta e konfliktuale, një përballje tragjike me fatin, veten dhe mjedisin armiqësor, si ithtar kokëkrisur i lirisë dhe dashurisë, aq edhe si një i përndjekur nga “hija” dhe obskurantizmi i pushtetit okult që ofronin kodet e vjetra.

Ne vitin 1995 interpretoi rolin e Fernandos te drama Fernando Krafti me ka shkuar këtë letër e T. Dorstit, me të cilin arriti një nga pikat më të larta të karrierës së tij aktoriale. Në vitin 2002 luajti Dorianin te Portreti i Dorian Grejt e O. Uajlldit, duke bërë të dukshëm dypalësinë, kontrastin dhe konfliktin rrënues midis bukurisë fizike dhe asaj shpirtërore. Me rolin e Xhejmsit te komedia Lirie Kapitulli i dytë e Nail Saimonit ndryshoi formatin dhe theu modelin e parapëlqyer të tipave të tij të deriatëhershëm, duke kërkuar shprehësi tashmë në rrafshin e komikes dhe lirikës, me përdorim e mprehtë dhe elegant të qasjeve kundërthënëse sikurse edhe një plastike mëvetësuese. Te drama Closer (Pak me afer), 2005, ai dëshmoi përpos ndjeshmërisë dhe pezmit të fsheht[ ndaj vetes dhe të tjerëve, edhe një sens të hollë ironie, sarkazëm kundrejt raporteve te vështira e kontradiktore në dashuri.

Ai luajti edhe rolin e A-se te pjesa “Për një fjalë goje” (2006) e Natali Sarrot, si rolin e Astrovit Daja Vanja (Xhaxha Vanja) e Cehovit (2008) në ‘’Teatër Kronos’’. Më 2007 luajti rolin e Ilirian Demit në dramen Korbi i bardhë e Mihal Luarasit. Një karriere te suksesshme ka pasur Ndriçim Xhepa edhe në kinematografi. Ka interpretuar rreth 30 role kryesore, duke qene një nder aktorët më të pëlqyer e më në zë për shume vite radhazi. Tërhoqi vëmendjen për lojën e kahut psikologjik në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982. Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat te realizuara, sikurse qe ajo e Alush beut në filmin “Dasma e Sakos”. Ndriçim Xhepa është shpallur tri here fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.