Rikthehet Zerina Kuke, prezantuesja ikonike rrëfen sakrificën e bashkëshotit: Ishte e guximshme

Prezantuesja ikonike Zerina Kuke u rikthye mbrëmjen e sotme në ekran në një rrëfim ekskluziv për “Kurthin e Piter Pan”

E vendosur përballë gazetarëve të vegjël ajo ka rrëfyer në Tv Klan, momente nga karriera dhe jeta e saj.

“Në kohën tonë se njihnim Pocahontas, unë e njoh se e shikon mbesa. Në kohën tonë ne kishim një princeshë japoneze që quhej Oichi. I mbaja flokët kapur dhe të gjithë më thoshin Oichi. Nuk isha Pocahontas aman dhe Oichi ishte princeshë.”

Një nga temat që u diskutua ishte pikërisht edhe marrëdhënia e saj me regjisorin e mirënjohur Pali Kuke.

E pyetur se si është jetesa me një kolonjar dhe një shkodran, referuar origjinës së tyre, Zerina u shpreh:

“Unë kam lindur në Tiranë dhe në marrëdhënien me një person s’ka lidhje fare me vendin. Është çështje kimie, çështje pasioni e mbi të gjitha çështje parimesh që ke për dikë.

Ti kur je në familje, nuk të interesojnë këto gjëra; vetëm kur grindesh pak i thua pastaj ‘O kolonjar’”.

Në rrëfimin e saj, ajo ndau shumë çaste emocionuese, një ndër të cilat kishte të bënte me sakrificat që ka bërë personi i zemrës.

“Gjatë jetës kur lind fëmijë, ke punën, ke familje të madhe, bëhen shumë sakrifica. Do kujtoja diçka shumë të bukur. Ne shkonim në aksion atë kohë, mua më kishte marë malli për Palin dhe rastësisht u sëmura. I shkruajta një letër Palit, ku i tregoja se më kishte marë malli dhe nuk ndjehesha mirë.

Dy netë më mbrapa në dy të natës më thonë ka ardhur dikush. Dola dhe ishte Pali, kishte bërë rrugën nga Karaburuni në Sarandë.Ishte diçka e guximshme sepse gjithë rruga ka qenë vetëm me burgje dhe të internuar. Mendoj që kjo është sakrifica më e madhe.”-tregoi ajo.