Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e dy familjarëve të Redjan Rrajës për të shfuqizuar sekuestron e 9 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të të dënuarit përjetë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.
GJKKO ka lënë në fuqi vendimin nr. 05, të datës 7 shkurt 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në vendimin e sotëm përcakton që shpenzimet procedurale të gjykimit në Apel, t’i ngarkohen ankuesve.
Pasuritë e nipit të deputetit Rrahman Rraja përfshijnë apartamente, garazhe, një orë e kushtueshme “Rolex” dhe disa makina. Mes pasurive të sekuestruara nga GJKKO është edhe mjeti tip “Audi” që përdorej nga modelja Kejvina Kthella, e cila në dosjen hetimore të SPAK rezulton të jetë partnerja e Rrajës.
Pasuritë e sekuestruara janë:
1.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.22, fq.25, me sipërfaqe 30 m2, e llojit “njësi”, regjistruar më datë 11.12.2014 në emër të shtetasit R.A.Rr.
2.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.22, fq.24, sipërfaqe 76 m2, e llojit “njësi”, regjistruar më datë 23.12.2014, në emër të shtetasit R.Rr..
3.Pasuria me nr. ***, zk ***, vol.60, fq.140, me sipërfaqe 127.5 m2, e llojit njësi, regjistruar në emër të shtetases M.Ç..
4.Pasuria me nr. ***, zk ***, me sipërfaqe 18.09 m2, regjistruar në emër të shtetases M.Ç.
5.Pasuria me nr. ***, zk ***, me sipërfaqe 18.09 m2, regjistruar në emër të shtetases M.Ç.
6.Automjeti me targë ***, Audi A8, regjistruar në emër të Redian Rraja në datën 29.10.2019, pas blerjes së tij nga shtetasi T.S. sipas kontratës me nr. 5267 rep, nr.2989 kol, datë 24.10.2019, kundrejt vlerës prej 20 000 Euro.
7.Automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi me targa italiane ***, me numër shasie ***, sekuestruar shtetases K.K. sipas procesverbalit të datës 05 Nëntor 2019.
8.Një orë dore me rrip metalik, me ngjyrë gri dhe të verdhë, me fushë të zezë, me numër në pjesën e pasme 16233 (Roleks).
9.Shuma prej 2750 euro.
Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj Arjan Ndojës”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO-së.