Pesë arrestime të reja për grabitjen spektakolare të bizhuterive në Luvër, thesaret ende të zhdukura

Hetimet për grabitjen e bujshme të bizhuterive historike nga Muzeu i Luvrit në Paris kanë sjellë zhvillime të reja. Pesë persona të tjerë janë vënë në pranga, duke e çuar në shtatë numrin total të të arrestuarve për ngjarjen që ka tronditur Francën dhe opinionin ndërkombëtar.

Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, një prej të arrestuarve të rinj dyshohet se ishte pjesë e bandës prej katër personash që kreu grabitjen, e maskuar si punëtor ndërtimi. Hajdutët arritën të hynin në muze dhe të merrnin bizhuteritë e epokës së Napoleonit, me vlerë që tejkalon 100 milionë dollarë.

Pas 11 ditësh kërkime intensive, autoritetet kanë arritur të kapin tre nga katër autorët e dyshuar kryesorë, por thesaret mbeten ende të humbura. Hetuesit besojnë se bizhuteritë mund të jenë çmontuar për t’u shitur në pjesë, duke përfshirë një gjerdan të rrallë smeraldi me mbi 1,000 diamante që Napoleoni ia kishte dhuruar bashkëshortes së tij të dytë.

Arrestimet e fundit janë kryer në Paris dhe në periferinë e Seine-Saint-Denis, ndërsa dy të parët u ndaluan fundjavën e kaluar. Njëri prej tyre, një 34-vjeçar algjerian, u identifikua përmes ADN-së në një skuter të përdorur gjatë grabitjes; tjetri, 39 vjeç nga Aubervilliers, ishte i njohur më parë për vjedhje.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë në Luvër. Drejtori i muzeut, Laurence des Cars, pranoi se hyrja ku u futën grabitësit nuk ishte e mbuluar nga kamerat, një neglizhencë që mund t’i ketë kushtuar Francës disa nga pasuritë e saj më të çmuara historike


Shtuar 30.10.2025 13:13