Ikona e kinemasë amerikane, Bruce Willis, po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e demencës frontotemporale, një sëmundje e rëndë neurodegjenerative që prek zonat e trurit përgjegjëse për komunikimin, sjelljen dhe lëvizjen.
Sipas burimeve pranë familjes, aktori i dashur tashmë nuk është më në gjendje të flasë dhe ka humbur edhe aftësinë për të lexuar. Gjendja e tij fizike është gjithashtu përkeqësuar, pasi përballet me vështirësi serioze në ecje
Willis u largua nga aktrimi në vitin 2022, pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar, përpara se diagnoza të rikonfirmohej si demencë frontotemporale në fillim të vitit 2023
Përgjatë viteve 2023 dhe 2024, raporte të shumta zbuluan se ylli i filmave si Die Hard dhe Pulp Fiction ishte bërë kryesisht jofjalor dhe kishte ndaluar së lexuari, ndërsa tani përballet edhe me sfida motorike të mëdha. Megjithatë, familja ka zgjedhur të mos ndajë detaje të mëtejshme për aspektin fizik të gjendjes së tij.
Në prill të këtij viti, bashkëshortja e tij Emma Heming Willis dhe vajzat e çiftit konfirmuan përmes një deklarate se sëmundja vazhdon të jetë progresive, por e qëndrueshme. “Bruce po përballet me këtë sfidë me dinjitet dhe i rrethuar nga dashuria jonë. Ne jemi pranë tij në çdo hap,” – thuhej në deklaratë.
Largimi i Bruce Willis nga skena kinematografike ka lënë një boshllëk të madh në botën e filmit dhe në zemrat e miliona fansave që janë rritur me filmat e tij.