Një deklaratë Ina Dajçit, e shpallur “Miss Universe Albania” ku thotë se eksperienca në këto konkurse është e tmerrshme është shpërndarë në rrjetet sociale. Dajçi ishte e pranishme ditën e sotme në emisionin ‘Ftesë në 5’, ku sqaroi këtë deklaratë dhe tregoi se çfarë gjërash të tmerrshme nënkuptonte. Ajo u shpreh se presioni bëhet nga njerëzit që komentojnë, ata që janë të brendshëm në staf si dhe ata që shikojnë nga jashtë.
“Vajzat në konkursin në Miss Universe në Izrael ishin shumë të shqetësuara për pamjen e tyre. Disa ishin me plagë të freskëta të ndërhyrjeve. Atyre u ushtrohet një presion shumë i madh, për të qenë perfekte. Presioni bëhet nga njerëz që komentojnë, por dhe njerëzit që janë aty. Ushtrojnë presion në mënyrë shumë të dhimbshme. Një nga eksperiencat e para, pasi fitova në Shqipëri. Një nga gjërat që na kërkuan në fillim ishte një video ku ti tregon si do ta përdorësh platformën e Miss Universe. Jam pjesë e një misioni humanitar në Neë York. Kisha bërë një video ku isha veshur me një kostum me motive shqiptare. Kostumi im ishte i mbyllur dhe në momentin që ua tregova këtë video, një nga organizatorët më tha je shumë e zgjuar, por je shumë e mbyllur në videon tënde, nuk po na tregon asgjë”- tregoi modelja.