“Në kuadër të dashurisë”, flimi që bëri bashkë dy “armiqtë”, Luizin dhe Oltën

Tashmë është zyrtare! Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari bashkohen në projektin e ri filmik. Prej disa kohësh është përfolur në rrjet për një film që po bëhej gati dhe në role kryesore do të ishin dyshja më e komentuar dhe më e famshme në Shqipëri.

Megjithatë, ende asgjë nuk ishte konfirmuar nga vetë ata. E tashmë çdo gjë është bërë zyrtare. Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari do të jenë pjesë e filmit “Në kuadër të dashurisë”. Ky film do të jetë një komedi romantike, ku nuk do të mungojnë të qeshurat, por as lotët. “Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre.

E nëse mendoni se keni pare çdo gjë nga Luizi dhe Olta kur ishin pjesë e shtëpisë së “Big Brother VIP”, na lini t’ju themi që gaboheni. Surprizat nuk do të kenë fund dhe fundja, e kush nuk do të ishte kuriozë që të shihte si çift ‘dy armiq të përbetuar’?!

Kjo marrëdhënie e çuditshme ‘dashuri-urrejtje’ vërtet që ka ngjallur mjaft kureshtje dhe interes tek publiku i gjerë gjatë kohës që ishin pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Kujtojmë këtu provën javore ku ndodhi dhe një puthje mes tyre dhe audienca ‘u çmend’. Kimia e tyre është e pamohueshme dhe të gjithë jemi gjithë sy e veshë për t’i pare ata si dy të dashuruar. E çuditshme por e vërtetë! Por deri në premierën e filmit, na lini t’ju japim një vështrim paraprak…

Një çift i martuar prej vitesh janë në buzë të ndarjes. E ndërsa gatisin letrat e divorcit, një ftesë i’u vjen nga mamaja e vajzës për një festë surprizë ditëlindjeje. Të gjendur para sikletit, çifti vendos të lënë Tiranën, e të nisen në Korçë, në këtë vizitë e cila bashkon familjet e të dyja palëve. Pikërisht kjo vizitë do t’i tregojë atyre të vërteta të hidhura për veten dhe njerëzit e afërt duke bërë të ri-mendojnë edhe njëherë gjithçka. Në role kryesore janë Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari, dy ndër personazhet më të komentuar prej disa muajsh tanimë. Nga ‘rivalë’ në shtëpinë e “Big Brother VIP”, ata vijnë tashmë si burrë dhe grua në filmin që parashikohet të thyejë rekorde.

Olta Gixhari është një aktore e mirënjohur e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Ajo ka lindur në Durrës më 8 korrik të vitit 1986. Ka luajtur në Teatrin Kombëtar ku disa nga shfaqjet e saj më të suksesshme kanë qenë: “Pamje nga ura” (2007), “Filumena Marturano” (2009), “Tri Motrat” (2016). Gjatë këtyre viteve ajo ka marrë mijëra duartrokitje të ngrohta nga publiku për interpretimet e saj të shkëlqyera. Por aktrimi nuk ka qenë dashuria e saj e parë pasi Olta në fëmijëri ka qenë pjesë e grupeve të kërcimit në Durrës, derisa e kuptoi që ishte e destinuar të aktronte. Edhe pse prindërit e saj nuk kanë qenë dakort kurrë që ajo të bëhej pjesë e botës artistike, Olta ndoqi zërin e mendjes dhe shpirtit të saj dhe nuk vazhdoi ekonomikun siç donte familja.

Ngjitja e parë serioze në skenën e Teatrit Kombëtar ka qenë kur ajo ishte ende në vitin e tretë të studimeve të larta. Në një nga provat e realizuara asaj kohe së bashku me profesor Timo Fllokon dhe regjisor Albert Mingën, Olta Gixhari arriti ta siguronte atë vend me talentin dhe punën e palodhur. Edhe pse dashuria e saj për teatrin ka qenë mjaft e madhe, aktorja kurrë nuk ka qëndruar e fokusuar plotësisht aty. Ajo është bërë pjesë edhe e botës kinematografike, ku mund të përmendim këtu disa filma të njohur si: “Pharmakon” (2012), “Amsterdam Express” (2014), “Love” (2021), “Bolero në vilën e pleqve” (2022).

E teksa u fokusuam në profesionin e saj, vlen të përmendim edhe faktin se ndër vite Olta Gixhari ka marrë pjesë në dalje të ndryshme televizive ku ka qenë prezantuese e reality shoë “Kafazi i Artë”, pjesë e spektaklit “Në 1 Javë” dhe së fundmi pjesë e edicionit të dytë të “Big Brother Vip Albania”. Aktorja arriti të qëndronte mbi 100 ditë e izoluar brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, por me vendimin e saj e ndërpreu garën. Edhe pse nuk ishte fituese, Olta ka tërhequr vëmendjen e të gjithë shqipëtarëve me karakterin e saj të fortë dhe unik.

Luiz Ejlli ka lindur më 12 korrik 1985. Ai studioi në shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Shkodër për muzikë në intrumentin e fagotit. Në vitin 1995, ai fitoi çmimin më të mirë në “Festivalin e zërave të fëmijëve kombëtar” në Shkodër. Në vitin 1998, ai mori pjesë si solist në “Chorus repertoarit Gold”, në Shkodër.

Në edicionin e parë të shfaqes Ethet e të Premtes Mbrëma u spikat talenti i tij si këngëtar, i cili arriti në pesë më të mirët. Në edicionin e dytë të këtij spektakli, ai fitoi çmimin e parë. Në dhjetor 2004, Luiz Ejlli merr pjesë në Festivalin e 43-të në RTSH me këngën “Hëna dhe yjet dashurojnë”.

Një vit më vonë në 2005, Luizi merr pjesë në Festivalin e 44-të në RTSH me këngën “Zjarr e ftohtë” dhe fiton. Ai përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion 2006, por nuk arriti për të kaluar fazën e gjysmë-finales. Luiz Ejlli ishte i pari artist mashkull në garë i cili përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë me një këngë në gjuhën shqipe.

Në nëntor 2010, Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli marrin pjesë në Kënga Magjike 2010 me këngën “Sa E Shite Zemren”, ku u shpërblyen me çmimin e Kritikës. Më datë 14 shkurt 2023, Luiz Ejlli publikon videoklipin “Me Ty”. Kënga është kompozuar nga Elgit Doda dhe Luizi ia ka dalë që brenda shtëpisë së “Big Brother VIP” të krijojë një këngë dedikuar Kiara Titos, si një dhuratë për ditën e të dashuruarve. Vargjet dedikuar Kiarës, duke se përshkruajnë ndjesinë që këngëtari ka për moderatoren, me të cilën u njoh dhe u lidh në shtëpinë e famshme. Pas suksesit në “BBV”, ai do të fitonte të tjera suksese, këtë here në rikthimin e tij në muzikë, duke publikuar këngë të reja që paten një impakt të jashtëzakonshëm tek publiku. E tashmë ai po sfidon veten dhe në një tjetër fushë, atë të aktrimit.

Dhe titulli i këtij filmi është frymëzuar nga shprehja e tij e famshme brenda shtëpisë; “në kuadër të lojës”. “Në kuadër të dashurisë” do të nisë xhirimet këtë muaj në qytetin e Korçës.


Shtuar 19.06.2023 19:45