“Ndodhi një ditë para ditëlindjes time”, humbi shikimin në njërin sy, 20-vjeçarja nga Shkodra tregon si bullizohej (FOTO LAJM)

Historia e Sabina Prronit është sa e trishtë aq dhe frymëzuese. Vajza nga Shkodra që jeton prej vitesh në Itali, ka humbur shikimin në njërin sy pas një dëmtimi që pësoi kur ishte 8 vjeç. Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ajo tregoi se po luante në park kur u rrëzua dhe dëmtoi syrin.

“Ndodhi një ditë para ditëlindjes. Unë shkoja gjithmonë te parku dhe u rrëzova në një lojë që rrotullohet. Rashë njëherë në tokë dhe nuk pata gjë. Kur hipa sërish e ndjeja diçka sepse kërkoja që mami të më mbante dorën. Kur ramë prapë, një vajzë ra sipër meje. Aty nuk ndjeva gjë.

U çova dhe nuk mund të hapja syrin. Ishte i ngjitur, filloi të më dilte gjak, familja më çoi në shtëpi dhe mendonim se thjesht isha vrarë pak. Më çuan në spital dhe më thanë se kisha humbur syrin dhe nga aty jeta ime ferr. Kur më thanë se humba syrin u ndjeva shumë keq. Kur e përmend më vjen për të qarë.”, tha ajo.

Sabina rrëfeu më tej se është përballur me bullizëm përgjatë viteve. Madje, siç theksoi ajo, disa nxënës të klasës e etiketonin “ciklop”. Ajo shtoi se paragjykimet e tilla kanë lënë gjurmë në jetën e saj por me kalimin e kohës dhe me moshën është mësuar që të përballet me këto komente.

“Kam shumë shoqëri që thotë se më vlerësojnë kështu si jam, nuk kanë turp që të rrinë me mua por që përpara prekesha për çdo gjë. Sot një person që nuk më njeh, nuk më prek fare. Prekem nga të tjerë që e dinë historinë time.”, tha Sabina duke folur më pas dhe për ëndrrat e saj.

Ajo tregoi se i pëlqen televizioni dhe kërcimi. Sabina gjithashtu tregoi se dëshiron që të hapë një parukeri. Teksa po fliste për këtë dëshirë, ajo tregoi dhe një moment bullizues nga profesoresha e saj. “Kisha profesoreshën që nuk kishte besim ndaj meje. Nuk kishte besim se do të prisja flokët.”


koment