Ndërron jetë aktori dhe regjisori i Teatrit “Migjeni”

Është ndarë nga jeta në moshën 79 vjeçare aktori dhe regjisori i mirënjohur shkodran, Edmond Mëhilli.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur të teatrit “Migjeni”, Edmond Mhilli ! Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe komunitetin e artistëve. Homazhet zhvillohen nesër, me datë 10 Janar nga ora 09-12, në hollin e teatrit “ Migjeni””, shkruhet në një reagim zyrtar të Teatrit Migjeni.

Regjisor i Teatrit “Migjeni , ka lindur në Shkodër me 23 gusht 1947. Në vitin 1970, mbaroi Institutin e Lartë të Arteve. Në periudhën kohore 1970-1974, punoi si regjisor në Pukë dhe më pas për 15 vite në Estradën e Shkodrës nga 1974-1989.

Po ashtu punoi në Radio Shkodra, në Shtëpinë e Kulturës së rrethit të Shkodrës. Pas vitit 2003 edhe në Teatrin “Migjeni”.

Ai u dallua si regjisor për shijen e mirë, futjen gjerazi në repertorin e Estradës së Shkodrës të skeçit të gjatë dhe të komedisë me një akt, po ashtu në konceptet e tij regjisoriale ra në sy puna e vëmendshme me fjalën, me gjestin, trajtimi me mjete realiste i situatave komike, këmbëngulja për vërtetësinë e karaktereve, si dhe një mizanskenë përgjithësisht “e mbledhur”, pa lëvizje të tepërta.

Seria e shfaqjeve të tij me titull “Ditë buzëqeshjesh” në vitet 1983-1984 fiton Çmimin e Parë, ndërsa një sezon më pas në atë 1985-1986 vlerësohet si më të mirat në takimet e humorit në mes estradave profesioniste të zhvilluara në qytetin e Shkodrës.

Regjisori shkodran ka shkruar edhe disa pjesë skenike, ku spikat drama “Një histori e thjeshtë”.

Në mes shumë shfaqjeve që mbajnë regjisurën e tij është edhe ajo pas viteve 2000, “Ylli i mëngjesit”.


Shtuar 9.01.2026 19:10