Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, aktori i njohur i humorit, Mane Lumani.
Mësohet se prej më shumë se dy muajsh, aktori vlonjat ishte i shtruar në reanimacion, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga të afërmit e aktorit të cilët përmes disa postimeve në rrjet konfirmuan humbjen e aktorit.
Lumani, i njohur si një nga parodistët legjendarë të Vlorës, gjatë karrierës së tij në botën e humorit dhe të skenës shqiptare la gjurmë të paharrueshme.
Në 2004, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në fyt ku iu hoqën të gjitha kordat për shkak të një mase tumoriale, Lumani humbi aftësinë për të folur.
Karrierën e tij artistike si aktor amator, Lumani e nisi në 1974 në ndërmarrjen e Ullishtës, duke arritur të spikaste për talentin e tij të jashtëzakonshëm në humor. Aftësia e tij për të interpretuar role komike me elegancë të rrallë i siguroi një vend të veçantë në zemrat e publikut shqiptar.
Në bashkëpunim me Agron Hoxhën, Afrim Agallinë dhe kolegun tjetër Muhamet Lika, që do të bashkohej më vonë, Lumani dhe grupi i tij arritën të krijonin një stil unik të humorit.
Mane Lumani do të mbahet mend përgjithmonë për sensin e tij të humorit të mençur dhe të ndjeshëm, përmes të cilit i dha një kontribut të madh artit skenik shqiptar.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve të artistit Lumani.
