Ngjarje e rëndësishme!
Në Muzeun e Historisë së Artit në Vienë (KHM), ku përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut tashmë shoqërohen me një përshkrim të plotë historik që përcakton qartësisht identitetin, origjinën dhe rolin e tij si udhëheqës shqiptar. Ky ndryshim vjen vetëm dy muaj pasi një peticion i iniciuar nga inxhinieri Azmer Duleviç dhe gazetari Ermal Peçi kërkoi korrigjimin e informacionit të munguar për figurën e heroit kombëtar.
Fotografia e datës 18 shtator 2025, e realizuar në muze, tregon se etiketa pranë përkrenares së Skënderbeut përmbante vetëm emrin e objektit:
“Skanderbeg-Helm / Helmet of Skanderbeg”, pa asnjë shpjegim mbi origjinën, rolin apo rëndësinë historike të tij.
Në kontrast, fotografia e datës 25 nëntor 2025 tregon se muzeu ka vendosur një tabelë të re të detajuar, ku Skënderbeu prezantohet me të gjitha elementët kryesorë identifikues. Kjo përbën herën e parë që Muzeu i Vienës e artikulon kaq qartë identitetin e Skënderbeut si figurë shqiptare dhe udhëheqës me tituj mbretërorë të njohur në traditën mesjetare.
Peticioni i nisur nga Duleviç dhe Peçi kërkonte që muzeu të ndreqte boshllëkun informativ dhe të vendoste një përshkrim të saktë historik. Sipas nismëtarëve, mungesa e referencës ndaj origjinës shqiptare të Skënderbeut ishte jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme për narrativën historike. Pas qindra firmave të mbledhura dhe pas vëmendjes së krijuar në media, muzeu ka reaguar duke rishikuar materialin ekspozues.
Ky lajm i rëndësishëm mund të shërbejë si precedent për edhe për shumë institucione të tjera europiane që mbajnë objekte të lidhura me historinë shqiptare, duke rritur presionin për përfaqësim korrekt dhe profesional.
